Portieri i “axurrëve” ka analizuar barazimin 0-0 të arritur kundër HollandësDitën pas barazimit pa gola me Hollandën, në shtëpinë e Italisë ka qenë Xhixhi Bufon që ka analizuar situatën e të kaltërve. “Ajo e parë kundër tulipanëve ka qenë një kombëtare mesatare, mund të them e pranueshme, - ka thënë numri një i italianëve. - Por nuk jam i shqetësuar nëse nuk është parë një Itali në gjendje të na bindë ne dhe publikun. Janë akoma edhe gjashtë muaj para se të vijë Botërori, kemi të gjithë kohën e nevojshme për t’u përmirësuar. Megjithatë është e qartë, në Afrikën e Jugut duhet të bëjmë diçka më shumë”. Bufon ka kujtuar edhe miqësoret e zhvilluara nga të kaltrit para botërorit të Gjermanisë dhe, gjithashtu, ka komentuar edhe paraqitjen e lojtarëve të rinj që kanë debutuar të shtunën në mbrëmje me fanellën e kombëtares: “Nuk besoj se publiku është argëtuar shumë, - ka pranuar portieri i Juventusit. - Kemi luajtur kundër një skuadre të madhe dhe kemi treguar se jemi në gjendje të mirë fizike dhe psikologjike. Nuk duhet të mendojmë për suksesin e marrë 4 vite më parë në Hollandë, sepse para Botërorit në Gjermani kanë ardhur edhe dy barazime 0-0 kundër Zvicrës dhe Ukrainës. Shumë njerëz na kanë kritikuar, më pas të gjithë e dimë sesi kanë shkuar gjërat… Kandreva dhe Paladino më kanë pëlqyer shumë, kjo kombëtare kishte nevojë për forca të freskëta”. Në fund Bufon ka komentuar me pak ironi futjen në fushë të tifozit që kërkonte Kasanon në kombëtare: “Presidenti Abete ka bërë mirë që e ka ndëshkuar këtë veprim, por ne në fushë nuk jemi ndier të frikësuar, përkundrazi, mund të them se jemi argëtuar. Megjithatë, diskutimet e shumta për Kasanon nuk na kushtëzojnë”, ka thënë ai.