
Shkrimtari francez Marsel Prust shpjegonte: “Të shërohemi nga vuajtja, vetëm duke e provuar vetë”. Prusti, për këtë temë ishte një mjeshtër i rafinuar. Në qytetin francez të Bordosë, Alesandro Del Piero shpjegon: “Po, vuajtëm shumë”. Edhe sulmi kaloi vuajtje të tilla kërkon të thotë “Pinturikioja”. U kthye titullar pas katër muajsh nga dëmtimi i parë dhe përballoi një nga mbrëmjet më të këqija që kur ndodhet te Juvja. Jo shumë për humbjen ndaj Bordosë, por për mënyrën sesi ajo erdhi. Me pak fjalë, një vuajtje. Del Piero e di, nuk fshihet. Nën shiun francez, kapiteni i rikthyer nuk lëshon “rrufe”. Nuk kërkon të gjejë alibi, kërkon vetëm të kuptojë nga kjo histori. Për shembull falënderon Ferrarën, “që më aktivizoi, sepse tani jam mirë, por të luash, shërben gjithnjë për të rigjetur formën më të mirë, para së gjithash pas gjithë këtyre muajve inaktivitet”. Pastaj numri 10-të bardhezi gjykon paraqitjen e tij, pa justifikime ama: “Paraqitja ime ishte në linjë me atë të skuadrës. Nuk e di çfarë nuk funksionoi. Ata ishin më agresivë, më reagues, më të bashkuar, luanin më shumë si skuadër. Në këto momente mund të thuhen shumë gjëra, por unë nuk jam dakord. Po përjetojmë një periudhë “zjarri” nga ndeshja në ndeshje, skuadra ka ndryshuar shumë, duke parë të dëmtuarit e tepërt. Por fjalët nuk shërbejnë, duhet të punojmë dhe të kuptohemi mes nesh sesi janë gjërat”.
Këtë përpiqet të tregojë Del Piero. Kapiteni kërkon të lërë të kuptojë një ide, atë që të mos kërkohet një “kokë turku” brenda ekipit. Dhe mos e kërkoni para së gjithash te Ferrara. Kështu pra, edhe kur diskutohet për module. Sepse në Bordo Juventusi e nis lojën me skemën 4-2-3-1, me Del Pieron të zhvendosur nga e majta. Por ky modul ndërtoi rastin më të mirë sapo Aleksi shkoi të mbështesë Amaurin. Një çështje? “Nuk e di nëse është një rastësi, nëse do të kishte hyrë ai top, ndoshta do të ishim duke treguar tani një tjetër histori. Por një gjë e dimë: në fushë duhet të jemi më të sigurt, më të qetë. Pse nuk jemi tani, nuk e di, por do ta kuptojmë dhe do të reagojmë menjëherë”. Për t’u shëruar, duhet vuajtur. Ai Prusti, ishte parisien, nuk luante te Bordoja, por ndoshta kishte të drejtë.