Skuadra e Blankut ka fituar 3-0 në Nansi, duke marrë vendin e parë në Ligën 1
Skuadra kampione e Francës, Bordoja, mundi dje Nansinë 3-0 duke marrë kryesimin e kampionatit. Bordoja, që kthehet te fitorja pas dy humbjesh në Ligën 1, kryeson me 28 pikë në 14 ndeshje. Sënt Etieni barazoi 1‑1 me Lë Manshin. Edhe pse i mungonte Joan Gurkufi i dëmtuar, Bordoja kaloi në epërsi në minutën e 25-të në fushën e Nansisë. Joan Gufran pason për Fernando Menegazon, i cili shënon golin e parë.
Mbrojtësi brazilian Geraldo Vendel shmangu dy mbrojtës të Nansisë para se të shënonte golin e dytë për Bordonë në të 61-tën minutë dhe më pas ishte Gufran, që vulosi rezultatin me një gjuajtje të pjerrët në minutën e 75-të. Nansi ra në vendin e 16-të pas kësaj humbjeje, me 17 pikë. Antoni Lë Talek barazoi në minutën e 73-të me kokë për Lë Manshin pasi braziliani Araujo Ilan kishte shënuar pas krosimit të Bakari Sakosë në minutën e 18-të, duke e kaluar Sënt Etienin në epërsi.
Lë Manshi i dha fund serisë negative prej katër humbjesh duke barazuar, por mbetet në fund të tabelës me nëntë pikë, pesë pikë pas Sënt Etienit. Okseri e humbi vendin e parë pasi u mund 1‑0 nga PSG-ja të shtunën. Xheremi Klement shënoi në pjesën e dytë, duke i dhënë fund shtatë fitoreve të Okserit. Okseri, tani në vend të dytë, ka dy pikë më pak se Bordoja, ndërsa PSG-ja shkoi në vendin e 12-të me 19 pikë në 13 ndeshje. Por PSG-ja humbi në këtë ndeshje portierin Gregori Kupet, saktësisht në minutën e 85-të, pasi ndrydhi kaviljen e majtë.
Kupet ka bërë dje një operacion dhe do të mungojë për të paktën tre muaj, ka informuar klubi i PSG-së. Të shtunën u luajtën edhe disa ndeshje të tjera dhe u arritën këto rezultate: Lorient- Grenoble 2-2; Lens-Marsejë 1-0; Lilë- Valonsion 4-0; Sosho-Nisë 1-0 dhe Tuluzë-Bulonjë 1-0. Ndeshja e Monakos kundër Montpeljesë u shty sepse skuadra e Montpeljesë është prekur nga gripi i derrave.