Eshtë shprehur i kënaqur me tri pikët e fituara kundër Atalantës, Klaudio Ranieri. Por ka rrëfyer se në aspektin taktik Roma e tij ka akoma shumë punë: “Fitorja ka qenë shumë e rëndësishme, por ne duhet të gjejmë ekuilibrin tonë. Nuk ishte e lehtë të mundje këtë Atalantë; kemi reaguar mirë pas disavantazhit. Donim ta nisnim mirë një javë shumë të rëndësishme dhe ia kemi arritur, edhe pse kemi shumë punë për të bërë akoma.
Duhet të vazhdojmë përpara në këtë rrugë. Atalanta ka dashur të fitojë pas humbjes së pësuar në Kupën e Italisë dhe në gabimin tonë të parë na ka ndëshkuar. Ka akoma disa gjëra që duhet t’i rregullojmë, sepse unë nuk jam i kënaqur. Janë disa mekanizma që duhen regjistruar”, ka përfunduar tekniku verdhekuq.