28 nëntor 2009

Seria A, sot dy ndeshje nga java e 14-të

Sot dhe nesër do të luhen ndeshjet e javës së 14-të në kampionatin italian. Udineze-Livorno dhe Xhenova-Sampdoria, takimet që çelin siparin.
Ndeshja e parë e kësaj jave është ajo që do të luhet në orën 18:00 në “Friuli” midis Udinezes dhe Livornos. Vendasit aktualisht ndodhen mjaft poshtë në klasifikim (në vendin e 14-të), në kuotën e 15 pikëve dhe sot do të futen në fushën e lojës me synimin e vetëm për të marrë tri pikët. Kurse Livorno vazhdon të notojë në ujëra të turbullta dhe e sheh veten në zonën që të rrëzon një kategori më poshtë.

Kryesfida e sotme (dhe një nga më interesantet e gjithë javës) është derbi xhenovez, që do të luhet në “Luixhi Ferrari” në orën 20:45 midis Xhenovas dhe Sampdorias. Vetëm katër pikë është distanca që i ndan rivalët e përjetshëm në tabelën e klasifikimit (24 pikë ka Sampdoria në vendin e 4-t, 20 Xhenova në të shtatin). Takimet e luajtura më parë midis këtyre ekipeve, përveç golave dhe spektaklit, shpesh herë kanë rezervuar edhe tension në fushë dhe në shkallët e stadiumit.