Mes Çelsit dhe Bregut, Drogba i do të gjitha!
Nuk kanë qenë pamje të zakonshem të Didië Drogbasë. Asnjë gol, asnjë fitore me Marsejën, Çelsin dhe Bregun e Fildishtë. Asnjë skenë, asnjë shpërthim të pakontrolluar, siç ka ndodhur në Çelsi-Barcelona, ku ka shprehur zemërimin e tij kundër arbitrit Ovrebo. Ka qenë një video prej 5 minutash, ku është zbuluar një Drogba që shumë pak njerëz e njohin në Europë. Midis fëmijëve të Abizhanit që vdesin në një spital të pisët, ku mungojnë kurimet elementare, Drogba në gjunjë, me lojtarë të tjerë të kombëtares, që kërkon fundin e luftës civile. Kampioni i Çelsit ka zbritur në fushë kundër të këqijave të vendit të tij dhe të Afrikës. Ka vendosur të ndërtojë një klinikë në Abizhan. Të shtunën e kaluar "Fondacioni Didië Drogba" ka lëshuar mesazhin për ndihmë nëpërmjet një mbrëmjeje bamirësie në Londër.
- Shokët e Çelsit, yjet e spektaklit, tifozë të pasur, më shumë se gjysëm milion euro të grumbulluara në vetëm 4 orë.
- Nuk ka gola, nuk ka trofe, që të më dhurojnë një lumturi të tillë. Ka qenë mbrëmja ime e parë e bamirësisë, duhen 2,5 milionë euro për të ndërtuar spitalin e ri dhe deri tani kemi arritur të mbulojmë një të pestën e shumës. E pabesueshme.
- Çfarë iu ka shtyrë të merreshit me këtë projekt?
- Katër vite më parë Stefani, vëllai i shokut tim të ngushtë, është sëmurur me leuçemi në Abizhan. Kam bërë gjithçka ishte e mundur që ai të kurohej në Europë. Por për këtë duhej viza, një proçedurë shumë e gjatë. Stefani ka vdekur 2 ditë pas lëshimit të vizës. Ishte 17 vjeç.
- Sa spitale ka në Abizhan?
- Vetëm një, në një vend ku ka një milion njerëz. Kam shkuar disa muaj më parë me kombëtaren time, jemi tronditur. Pacientë të grumbulluar në dhoma të pista, pa asnjë shërbim. Fëmijët me leuçemi më kanë bërë shumë përshtypje. Rënkimet, dëshpërimi i prindërve. Të paktën këtë herë kam arritur të transferoj një nga të vegjlit në Zvicër.
- Më pak probleme me vizën?
- Tani më ndihmojnë shumë njerëz. E kam hapur "Fondacionin Didië Drogba" në vitin 2007. Jao, fëmia, ka afër mamanë e tij, kohët e fundit jam njoftuar se është shumë më mirë, tashmë është jashtë rrezikut. Jam njëkohësisht i lumtur dhe i trishtuar, 5 të tjerët që ishin bashkë me të në Abizhan kanë vdekur.
- Kur do të jetë gati spitali juaj?
- Dua ta mbaroj në dy vjet. Kam blerë tokën, 3 mijë metra katrorë, me paratë e marra nga kontrata, që kam nënshkruar me kompaninë "Pepsi". Çelsi ka hequr dorë nga përqindja që kishte mbi të drejtat e mia të imazhit. Klinika do të ketë rreth 200 shtrtër. Mjekët europianë dhe afrikanojugorë do të përgatisin mjekët e Bregun e Fildishtë.
- Ndërkohë vazhdoni të luani. Premier dhe Champions me Çelsin, Botërori me Bregun e Fildishtë.
- Për mua spitali dhe fondacioni janë po aq të rëndësishëm sa futbolli. Nuk jam nga ata që mendojnë çdo sekondë vetëm për futboll. Mund të impenjohesh në fushë dhe jashtë saj. Madje, është më e lehtë të japësh maksimumin, kur kupton sensin e jetës.
- Nuk do iu shohim më të humbni kontrollin siç ka ndodhur kundër Barcelonës?
- Unë jap maksimumin kur luaj dhe reagoj kur mendoj se diçka nuk shkon, apo kur shikoj njerëzit që vuajnë. Akoma mendoj për 19 tifozët e Bregut të Fildishtë, që janë shtypur nga rrënojat e stadiumit në mars, kur ne kemi luajtur në Malaui. Por ka qenë Izak, më i madhi nga tre djemtë e mi, që më ka thënë se me Ovrebon kisha gabuar. Nuk është kurrë vonë për të ndryshuar. Unë do të provoj.
- Me Ançelotin ju shënoni shumë dhe Çelsi fluturon.
- Ka një personalitet të madh, gjithashtu shumë eksperiencë, e di rrugën që duhet të ndjekë për të fituar. Eshtë një trajner ambicioz, që na ka transmetuar menjëherë cilësitë e tij.
- Pa bërë revolucion.
- Shumë trajnerë kur shkojnë tek një skuadër e re ndryshojnë gjithçka për të treguar se kush janë. Ai po perfeksionon atë që funksiononte më parë. Një shenjë që tregon vlerat e tij. Ka bërë menjëherë për vete lojtarët. E ka gjithonë batutën gati, edhe në stërvitje.
- Ju ëndërronit Milanin, Milani iu ka dërguar Ançelotin.
- Çdo lojtar ëndërron skuadrat e mëdha. Qëkur kam qenë fëmijë më ka pëlqyer Milani. Seria A do të kishte qenë një kampionat i mirë për mua, por realiteti është se jam shumë i kënaqur tek Çelsi.
- Milano në zemër?
- Më pëlqen shumë, kam shumë miq. Me Madridin, Parisin dhe Marsejën është një nga vendet ku kaloj pushimet. Do të rikthehem në Milano, kam besim tek miqtë që kam atje për spitalin në Abizhan.