Shaqiri luajti 61 minuta
Futbollisti Xherdan Shaqiri është inkuadruar në lojë nga minuta e 39-të e ndeshjes, por me skuadra e tij, Baseli, humbi ndeshjen kryesore të kësaj jave me rezultat 0:2 nga skuadra kryesuese e tabelës, Young Boys. Ky ishte derbi i javës së 17-të dhe një rast i mirë për Baselin që në rast të rezultatit pozitiv t’i afrohet me pikë. Shaqiri u angazhua shumë gjatë 61 minutave, sa luajti, por qe vështirë të importohet një pikë nga skuadra kryesuese e tabelës, e cila në fushën e vet dëshmohet e pamëshirshme. Young Boysi kryeson tabelën me 38 pikë, ndërsa Baseli mbetet i dyti me 31 pikë.
Fejzullahu zverdhet në Groningen
Erton Fejzullahu, një futbollist luftarak në fushën e lojës me skuadrën e NEC Nijmegenit importuan një pikë të vlefshme nga fusha e vështirë në barazimin 2:2 në takim me Groningenin, në javën e 15-të të Kampionatit të Holandës në futboll. Kjo ndeshje sa ishte interesante aq edhe atraktive me shënimin e golave, e cila kënaqi edhe adhuruesit në stadium. Fejzullahu ndëshkohet me karton të verdhë në minutën e 67-të, ndërsa është zëvendësuar në minutën e 86-të të ndeshjes. Më këtë pikë të importuara NEC renditet në vendin e nëntë me 18 pikë të tubuara.
Bogdani i gëzohet fitores
Futbollisti i kombëtares së Shqipërisë, Erion Bogdani nuk ka luajtur si titullar, por iu është dhënë rasti nga minuta e 68-të e ndeshjes në fanellën e Chievos. Skuadra e Chievos shënoi fitore të rëndësishme me rezultat 1:0 kundër Palermos, me të cilën edhe e ka përmirësuar renditjen në tabelën e klasifikimit, duke u radhitur në vendin e 13-të me 18 pikë të tubuara. Bogdani luajti mjaft mirë në repartin e sulmit dhe së bashku me bashkëlojtarë iu është gëzuar kësaj fitore ndaj një rivalit të fortë.
Xhemajli me Parmën ndalën një pikë
Futbollisti shqiptar, Blerim Xhemajli ndeshjen e nisi titullar dhe me gjithë orvatjet deri në sekondat e fundit me skuadrën e Parmës nuk e gjetën fitoren kundër Napolit shumë të fortë,. Takimi Parma-Napoli përfundoi me rezultat 1:1, i cili është zhvilluar në kuadër të javës së 14-të të Serie A të Italisë. Amuroso ishte futbollisti që e shpëtoi nga humbja Parmën, kur në ë minutën e 86-të barazoi rezultatin. Xhemajli pati paraqitje të mirë, por me gjithë përpjekje që të shënojnë fitore, për çka edhe e kishte synim para ndeshjes, nuk e arritën një gjë të tillë, për faktin e Napoli u dëshmua skuadër sa e papërshtatshme aq edhe e fortë. Parma zë vendin e pestë në tabelë me 24 pikë.
Shengyli i kënaqur me të rinjtë, jo edhe më të vjetrit
Kampioni në fuqi, Prishtina ka lënë përshtypje të mirë në turneun mbarëkombëtar të futbollit “Kupa e Pavarësisë”, e mbajtur në Vlorë të Shqipërisë. Skuadra e Prishtinës zhvillojë dy ndeshje, me Shkëndijën e Tetovës dhe Flamurtarin e Vlorës, të cilat përfunduan me rezultat 0:0. Kryetrajneri i Prishtinës, Skënder Shengyli, tha se sikur t’i konkretizonin rastet në ndeshjen me Flamurtarin Prishtina do të fitonte turneun. “Më të vërtetë ka qenë një mikpritje e shkëlqyeshme nga organizatorët e turnet dhe pikërisht nga skuadra e njohur, Flamurtari. Ishte hera e parë që kemi marrë pjesë në një turne të rëndësishëm dhe që kemi dëshmuar lojën tonë ndaj rivalëve që kemi pasur përballë. Kemi zhvilluar dy ndeshje, të cilat u zhvilluan me nga 45 minuta. Të dyja ndeshjet (me Shkëndijën e Flamurtarin) përfunduan pa gola. Duhet veçuar ndeshjen me Flamurtarin, në të cilën patëm tri raste të mira shënimi, por të cilat nuk i finalizuan sulmuesit tanë. Sikur të ishin realizuar këto raste Prishtina sigurisht se do të dalte fituese e turneut. Flamurtari pati fat më shumë dhe nëpërmjet penalltive doli fitimtar. Edhe kësaj here u pa se futbollistët e Prishtinës nuk ishin të përgatitur sa duhet psikikisht në kryerjen e penalltive dhe kështu që humbëm ndeshjen. Mirëpo, nuk mund të them asgjë sa i përket dallimi në cilësi në mes skuadrave sepse kemi pasur në përbërje shumë futbollistë të rinj, prandaj është vështirë të jepet një vlerësim i tillë. Më rëndësi është se djelmoshat dëshmuan lojë të mirë dhe turneu ka qenë mjaft interesant”, tha Shengyli. Prishtina nuk ka luajtur më përbërjen e parë, por ka shfrytëzuar rastin që t’i testoi formën e disa futbollistëve të rinj dhe të talentuar. Shengyli ka qenë i kënaqur me formën e futbollistëve të rinj, por ata më përvojë sadopak e kanë zhgënjyer me lojën që demonstruan në fushë. “Në këtë turne iu kemi dhënë rastin disa futbollistëve të rinj, të cilët me kanë befasuar për të mirë me lojë. Futbollisti Viktor Kuka është shpallur më i mirë i turneut. Po ashtu me paraqitje të mirë me kanë befasuar futbollistët Agon Ramadani e Ardian Haxha. Këta futbollistë dëshmuan angazhim të pashoq në fushë së bashku me disa futbollistë të tjerë të rinj. Nuk jam i kënaqur me angazhimin e futbollistëve të përbërjes bazë që kanë luajtur në kampionat, të cilët fatkeqësisht përsëriten të njëjtat gabime’, ka thënë Shengyli. Kampioni i Republikës së Kosovës pret që këto gabime që po shfaqën vazhdimisht te futbollistët më përvojë të evitohen sa më parë dhe të mos përsëriten më sikurse ka ndodhur në stinorin vjeshtor dhe gjatë turneut të zhvilluar në Vlorë. Në përgjithësi Shengyli ishte i kënaqur me paraqitjen e skuadrës së tij dhe ka qenë edhe test i mirë t’ sprovojë futbollistët në veçanti djelmoshat rinj.
Rikthimi i Kuqit
Pas lëndimeve të njëpasnjëshme që e lanë jashtë fushës në fillim të sezonit në Bundesliga 2 gjermane, Njazi Kuqi ka filluar të rikthehet në formë. Madje, vëllai më i ri i Shefki Kuqit ia ka dalë të shënojë gol për Tus Koblenzin të premten, edhe pse skuadra e tij u mposht me rezultat 2:1 nga Karlsruhe.
26-vjeçari e shënoi golin e vetëm të Koblenz në minutën e 74-t të ndeshjes, para se më parë të shënonin vendësit dy gola me Stindl (48’) e Fink (62’). Goli i Koblenzit rrodhi si rezultat i bashkëpunimit të shkëlqyeshëm të vëllezërve Kuqi, me Njaziun, që e finalizoi aksionin në mënyrën më të mirë të mundshme.
“Objektiv imi ishte që të lirohesha, pas lëndimit që më la jashtë për një kohë të gjatë. Nuk ishte e lehtë për mua, ky ishte 90-minutëshi i parë i sezonit për mua. Unë e shënova golin për veten, por mbi të gjitha për tifozët e Koblenzit. Një sulmues jeton për gol dhe unë do t’i kënaq tifozët me gola”, theksoi Kuqi për ueb faqen zyrtare të klubit.
Sulmuesi shtatgjatë shpreson që të mos i përsëritet më lëndimi në nyje të këmbës, ndërsa premton se do të vazhdojë të kontribuojë për ekipin. “Nëse nuk më përsëriten lëndimet, do të vazhdoj kështu. Dëshiroj ta gjej sërish golin qysh në ndeshjen e ardhshme, kundër St.Paulit”, vazhdoi ai.
Kuqi e ka analizuar edhe humbjen nga Karlsruhe, në të cilën konsideron se Koblenz e meritoi një barazim. “Ishim të pafat që humbëm. Pas dy golave të pësuar, u munduam të ktheheshim në lojë. I kishim mundësitë tona përmes kundërsulmeve, mirëpo duhet të mundohemi të luajmë më mirë”, tha sulmuesi kosovar, i cili gjithashtu e fajësoi gjyqtarin, për disa vendime në dëm të ekipit të tij.
Koblenz aktualisht gjendet në pozitën e tretë nga fundi i tabelës, me 12 pikë të tubuara. Mirëpo, Kuqi e ka gjetur mënyrën se si duhet të dilet nga kjo situatë.
“Duhet të përqendrohemi në lojë ofanzive, kjo na duhet në këtë moment. Edhe reparti i mesfushës është mjaft i rëndësishëm që të jetë në nivel. Neve na duhet një mbështetje e përgjithshme”, tha në fund futbollisti me nënshtetësi finlandeze, Njazi Kuqi.
Edhe në ndeshjen e fundjavës që vjen kundër St.Paulit, Koblenz do të llogaritë te vëllezërit Kuqi. Shefkiu deri tash ka shënuar plot 7 gola, që i bie më shumë se gjysma e golave sa ka shënuar i gjithë Koblenzi.