Trajneri i Juventusit akuzon gjyqtarin pas humbjes me Kaljarin: Ndaj skuadrës s’kam asnjë kritikë
Jam shumë i inatosur edhe këtë herë, por jo me skuadrën”. Çiro Ferrara shfryn pas humbjes 0-2 në Kaljari, që e gjykon të padrejtë dhe ia faturon atë gjyqtarit të ndeshjes De Marko: “Në pjesën e dytë bëmë gjithçka për të barazuar dhe fituar, - vazhdon trajneri bardhezi. - Në pjesën e parë nuk është se na vunë shumë në rrezik, pësuam një supergol nga Nenè dhe kaq. Pastaj Kaljari nuk doli ndonjëherë nga zona e vet.
Dhe ajo ndaj Amaurit në mes të zonës, në shtëpinë time jepet 11-metërsh, teksa ka shtatë muaj që nuk po na japin një penallti në favor. Megjithatë, këto gjëra nuk është se kanë shumë rëndësi pas kësaj humbjeje 2-0. Një humbje që na “dhemb” shumë për atë që dhamë në fushë. Ndoshta barazimi do të ishte rezultati më i drejtë, por nuk ndodhi kështu.
Ne kthehemi në shtëpi me një humbje që na shqetëson shumë për mënyrën sesi erdhi”. Megjithatë Juventusi vazhdon të mos shënojë: “Një problem sulmi? Ne sot (dje) patëm shumë raste për gol, - përgjigjet Ferrara, - dhe jemi sulmi i dytë më i mirë i kampionatit. Ishte i zoti edhe portieri Marketi, patëm raste për gol me Del Pieron e Diegon. Një gol mund ta kishim shënuar edhe në ndonjë episod të veçantë. 11-metërshi ndaj Amaurit ishte, por sulmuesi mori edhe karton të verdhë për protesta”.
Më pas Ferrara shpjegon: “Në krahasim me ndeshjen në Bordo nuk ishim shumë mbizotërues. Është e vërtetë që në pjesën e parë krijuam pak, duke hasur shumë vështirësi edhe për meritë të kundërshtarit.” Trajneri bardhezi nuk duket shumë i shqetësuar, pavarësisht se nga disa kampionë, pritet të jepet më shumë në fushë me Diegon në krye: “Do të përpiqem ta motivoj më shumë, por duhet të kemi durim. Sot (dje) nuk kam asnjë kritikë ndaj skuadrës”.