Del Neri Gasperini, nxehet derbi gjenovez
Xhenoa Sampdoria është edhe një derbi Gasperini kundër Del Nerit, dy prej trajnerëve më “të nxehtë” të momentit. “Nuk zbresin në fushë vetëm dy skuadra, por një qytet i tërë. Me 24 pikë luajmë pa presion, por edhe për një rezultat të vetëm, fitoren”, - tha trajneri i Sampit, të cilit i vjen menjëherë përgjigja kuqeblu: “Do të jetë e rëndësishme të luajmë si gjithnjë. Derbet e fundit që kemi fituar, na kanë dhënë besim dhe na kanë lënë të kuptojmë që mund të fitojmë edhe të tjerë”. Megjithatë, Del Neri i ka idetë e qarta: “Duhet të luajmë të vendosur, pa shumë presion. Pashë që skuadra donte ta përjetonte këtë prag sfide e bashkuar dhe e kuptova që ishte mënyra e drejtë për t’i karikuar siç duhet. Derbi është një ndeshje më vete dhe vlerat mënjanohen. Dikush më tha që Xhenoa ka mbrojtjen më të dobët të kampionatit, por unë i thashë që ka edhe sulmin më të mirë. Si të gjitha skuadrat Xhenoa po lodhet në mbrojtje, sepse i është kthyer një futbolli më sulmues, prandaj diçka duhet lejuar. Sampi? Nuk është vetëm Kasano dhe nëse do të markojnë atë, dikush tjetër do të jetë i lirë. Edhe ndaj Interit e markuan, por golin e shënoi Pacini”. Është gati edhe replika e trajnerit Gasperini nga ana tjetër: “Nuk ka favoritë, Sampi është një skuadër me vlera individuale më të rrezikshme këtë vit, me një identitet të saktë dhe një aspekt sulmues të madh në krahasim me vitin që shkoi. Ndoshta u pëlqen edhe tifozëve të vet. Kasano? Tashmë është e kotë t’ia vlerësosh cilësitë, por s’është hera e parë që luajmë kundër tij, - vazhdon Gasperini. - Formacioni? Mendoj se s’do të ndryshojë shumë nga ata të fundit. Figueroa, Krespo e Flokari janë mirë. Do të vlerësoj edhe gjendjen e Juriç e Zapater. Rëndësi ka që jemi mirë në prag të kësaj ndeshjeje, me mendësinë e duhur, me dëshirën për të luajtur një ndeshje siç dimë ne dhe bindjen se luajmë në shtëpi. Në fillim humori s’ishte edhe aq i mirë. Pak nga pak e kemi marrë veten dhe do të jemi në formën më të mirë, psiko-fizike”.