
Drejtuesit e klubit të Bajernit të Mynihut, që po kalon një periudhë të vështirë për shkak të lojtarëve të dëmtuar dhe polemikave brenda shtëpisë, shpresojnë se fitorja e nesërme kundër Hanover 96 do të jetë fillimi i një serie fitoresh para pauzës dimërore. Bajerni është në vend të shtatë në Bundesligë pas 13 ndeshjesh dhe ka shtatë pikë më pak se kryesuesit, Bajer Leverkusen, para ndeshjes kundër Hanoverit të vendit të dhjetë. “Nuk duket se jemi aq keq për momentin”, ka thënë presidenti Franc Bekenbauer pas fitores 1-0 kundër Makabi Haifas në Ligën e Kampionëve të mërkurën. “Nëse fitojmë kundër Hanoverit, jemi sërish në lojë. Nëse kemi disa fitore radhazi deri në fund të këtij viti, do të jemi aty ku duam”, ka shtuar ai. Menaxheri i klubit, Uli Hënes, ka thënë se nuk është biseduar për të ardhmen e trajnerit Luis van Gal, i cili nuk e ka nisur mirë sezonin. “Shpresoj se nuk do të kemi më diskutime për trajnerin, të paktën për disa javë. Fitorja kundër Haifas do të na ndihmojë të përqendrohemi te ndeshjet e kampionatit”, ka thënë ai pas ndeshjes në Ligën e Kampionëve. Holandezi Arjen Roben mund të kthehet në formacion kundër Hanoverit pas një muaji pa luajtur, ndërsa Frenk Riberi ka nisur të stërvitet. “Mendoj se Robeni mund të luajë që këtë ndeshje. Riberi ka nisur stërvitjen dhe po përparon mirë”, ka thënë Hënes. Sulmuesi Luka Toni mund të kthehet në skuadër pasi nuk u aktivizua nga trajneri për ndeshjen kundër Haifas, pas një interviste ku ai kritikonte trajnerin. “Po mundohem të negocioj me të dy palët dhe ndoshta do të krijojmë një lidhje. Luka është urdhëruar të paguajë një gjobë prej 25.000 eurosh dhe me kaq kjo merr fund”, ka thënë Hënes. Leverkuseni kryesues luan nesër kundër Shtutgartit, që është në vend të 16-të, por që ka besim te trajneri Markus Babel. Shtutgarti nuk do të jetë knudërshtar i lehtë për kryesuesit sidomos pas fitores 2 0 kundër Rejnxhërsit në Ligën e Kampionëve. Verder Bremeni i vendit të dytë me 26 pikë, mund të marrë kryesimin sot nëse mund Volfsburgun, që ka fituar vetëm një nga katër ndeshjet e fundit në kampionat.