Dy gjigantët e futbollit botëror, Barcelona dhe Real Madridi, kanë dhuruar spektakël në përballjen e të dielës mbrëma në Camp Nou.
Superderbi botëror- ‘el Clasico’ është zhvilluar në kështjellën e Blaugranëve, të cilët ishin nikoqirë të Mbretërve, në takimin që përfundoi me fitore minimale të vendasve, prej 1-0.
Ishte ky takimi ndërmjet 22 lojtarëve më të shtrenjtë që janë përballur ndonjëherë në historinë e futbollit, ndërsa dallimi i tyre në tabelë ishte vetëm një pikë.
Edhe pse u njoftua që Zlatan Ibrahimovic do të luajë nga minuta e parë, ndërsa Lionel Messi e Cristiano Ronaldo do të qëndrojnë në stol, ndodhi e kundërta: Ibra qëndroi në bankën rezervë, ndërsa Messi dhe Ronaldo luajtën nga fillimi.
Përkundër bukurisë së lojës, intensitetit, dinamikës dhe rasteve, pjesa e parë përfundoi pa gola. Mirëpo nuk ndodhi ashtu në pjesën e dytë.
Pesë minuta pasi u inkuadrua në lojë, sulmuesi i Barcelonës, Zlatan Ibrahimovic, krijoi avantazhin e vendasve (56’), pas një krosimi të Dani Alves.
Ritmin kësaj ndeshjeje ia ngadalësoi Sergio Busquets, i cili u përjashtua nga loja me kartonin e dytë të verdhë (63’).
Megjithatë, përkundër epërsisë në numrin e lojtarëve, dhe përkundër se trajneri Manuel Pellegrini inkuadroi të gjithë sulmuesit në lojë, Los Blancos nuk arritën as ta barazojë rezultatin.
Në fund të ndeshjes gjakrat u nxehën edhe më shumë, ashtu që edhe Lassana Diarra u përjashtua me kartonin e dytë të verdhë.
Pas kësaj fitoreje Barcelona rimerr kreun e tabelës me dy pikë më shumë se Real Madridi.