
Okseri do të jetë pa sulmuesin polak Ireneusz Jelen kur të luajë kundër PSG-së sot, nën petkun e kryesueses së Ligës 1. Jelen ka shënuar katër gola në tetë ndeshje dhe është cilësuar si lojtari më i mirë i muajit tetor. Ai dëmtoi kofshën e tij të djathtë në stërvitje të mërkurën dhe Okseri ka frikë se mos do të kthehet te ndeshjet e dobëta pa të, si në fillim të sezonit. “Kur ai luan, gjithçka është më e lehtë për secilin prej nesh. Ai i jep forcë lojës sonë. Pa të, ne do të kemi të njëjtat probleme si në verë”, ka thënë trajneri i Okserit, Zhan Fernandez. Okseri ishte në fund të renditjes në fillim të sezonit pas tri humbjesh. Që kur Jelen është rikthyer në formë, Okseri nuk ka humbur më asnjë ndeshje dhe ka marrë shtatë fitore radhazi. Ata kanë 26 pikë në 13 ndeshje, një më shumë se Bordoja dhe Olimpiku i Lionit. PSG-ja është në vend të 13-të me 16 pikë dhe me një ndeshje më pak, pasi ka fituar vetëm njërën prej tetë ndeshjeve të fundit në kampionat. Bordoja shkon në fushën e Nansisë nesër, pasi ka humbur katër herë në gjashtë ndeshjet e fundit në ligë. Kampionët e Francës do të përqendrohen tani në kampionat pasi kanë siguruar kualifikimin për turin tjetër të Ligës së Kampionëve në Grupin A me fitoren 2-0 kundër Juventusit. “Do ta kthejmë vëmendjen në kampionat tani”, ka thënë trajneri i Bordosë, Lorent Blank, i cili e ka fituar titullin me Okserin si lojtar në vitin 1996. Organizatori Joan Gurkuf është ende i dëmtuar dhe është në dyshim për nesër. Olimpiku i Lionit do të kërkojë fitoren e parë në një muaj në ndeshjen kundër Renës, ndërsa Olimpiku i Marsejës, i shtati me 22 pikë, me një ndeshje më pak, luan kundër Lensit.
Bordo, Planus: Unë i dashuroj paràtë!
Mbrojtësi Mark Planus i Bordosë ka thënë se një ofertë e mirë financiare mund ta bindë të largohet nga kampionët. “Po e them qartë dhe me zë të lartë, i dua paratë, i dashuroj ato”, është cituar Planus nga “L’Equipe” para ndeshjes së nesërme kundër Nansisë. “Nuk është problemi te futbolli. Unë nuk jam ai tip lojtari që e lë klubin pas gjashtë muajsh, por për parà shkoj të luaj edhe në Katar.”
Gripi i derrave shtyn Monako-Montpelie
Skuadra e Montpeliesë është goditur nga gripi i derrave duke e detyruar Ligën Franceze të Futbollit ta shtyjë ndeshjen mes Montpeliesë dhe Monakos. “Për shkak të gripit të derrave te Montpelieja, ne kemi marrë vendimin ta shtyjmë këtë ndeshje. Vendimi është marrë për të shmangur rrezikun e infektimit. Nuk është vendosur ende një datë për luajtjen e kësaj ndeshjeje, pasi Montpelieja është në karantinë deri të hënën. Trajneri i Monakos ka thënë se kjo ndeshje mund të luhet më 13 janar. Klubi i Montpeliesë ka thënë se tre lojtarë janë prekur nga virusi dhe më shumë raste priten. “Tetë lojtarë janë me grip, tre prej tyre me virusin H1N1″, ka thënë mjeku i Montpeljesë. Ai nuk i ka dhënë emrat e lojtarëve të prekur nga ky virus. Mbrojtësi boshnjak Emir Spahiç është diagnostikuar me këtë virus në muajin gusht. Muajin që shkoi, ndeshja mes Marsejës dhe PSG-së u shty disa orë para se të luhej sepse tre lojtarë të PSG-së u diagnostikuan me gripin e derrave.