28 nëntor 2009

Ronaldo i pangopur: Dua 10 gola ndaj Barçës

Portugezi i Realit: Ne jemi kryesuesit, ndërsa Barça është një ekip i madh, por kjo ndeshje nis pa favoritë
Ronaldo i pangopur: Dua 10 gola ndaj Barçës
Real Madridi ka gjetur sërish "yllin" që shndrit më shumë se të tjerët. Kristiano Ronaldo ka luajtur 20 minuta në ndeshjen e Ligës së Kampioneve ndaj Zyrihut, duke dhënë sinjalin se trajneri Manuel Pelegrini mund të bazohet tek aftësitë e tij për "El Klasikon" ndaj Barcelonës, të dielën në "Kamp Nou". Ja cila ka qenë intervista e portugezit, që kushtoi 94 milionë euro, në prag të përballjes me rivalët historikë…
- Ndiheni gati për të qenë titullar në "Kamp Nou"?
- Mendoj se është normale që të mos jem në kulmin e formës, pas një dëmtimi dymujor. Dua vetëm të jem i dobishëm për ekipin.
- Çfarë iu kanë thënë për "El Klasikon" e fundit të luajtur në "Bernabeu"?
- Nuk më pëlqen të flas për të kaluarën. Nuk më intereson se çfarë ndodhi, sepse nuk kam qenë këtu. Jam i përqendruar tek e tashmja. Unë shpresoj që Reali të fitojë ndaj Barcelonës.
- Fjalimi i Pelegrinit në stërvitjen e sotme ishte më i gjatë se zakonisht…
- Kjo sepse ai i tha të gjitha kur ishim jashtë. Zakonisht ai flet edhe para se të fillojmë stërvitjen, kur jemi në dhomat e zhveshjes. Nuk ka të bëjë aspak me faktin që do të luajmë ndaj Barcelonës.
- Jeni në krye të renditjes, mendoni se ky fakt iu bën favoritë për të fituar?
- Nuk mendoj se ka favoritë në ndeshje të tilla. Do të fitojë skuadra më ambicioze, ajo që beson te suksesi. Ne kemi një respekt të madh për kundërshtarin, por aspak frikë prej tij. Barça është një skuadër e madhe, por unë nuk besoj se kjo ndeshje nis me një skuadër favorite mbi tjetrën.
- Mendoni se Reali varet nga prania juaj në çdo ndeshje?
- Jemi kryesues në kampionat dhe Championsit, kësisoj unë nuk mendoj se skuadra varet vetem nga unë. Unë mendoj se mund ta përmirësoj, por Reali mund të fitojë dhe të shënojë dhe pa mua.
- Do të keni përballë rreth 100 mijë tifozë kundërshtarë…
- Jam mësuar me këtë. Pastaj, pas botërorit 2006 kur Portugalia eliminoi Anglinë, unë isha njeriu më i urryer në çdo stadium të Anglisë, por kjo nuk më pengoi të bëhesha lojtari më i mirë i Premier Ligës.
- E prisni me ankth një ndeshje si "El Klasiko"?
- Jam gjithmonë në ankth para një ndeshjeje dhe nuk ka të bëjë me faktin që përballë do të jetë Barcelona. Unë jam ambicioz dhe e ndjej adrenalinën para çdo takimi. Të gjitha ndeshjet janë "El Klasiko" për mua.
- Çfarë duhet të bëjë Reali për të fituar?
- Na duhet të luajmë mirë dhe të shënojmë më shumë gola se Barcelona.
- Mesi është në dyshim. Do të donit ta kishit si kundërshtar?
- Futbollistët e mëdhenj duhet të jetë gjithmonë në fushën e lojës, nëse e kanë mundësinë. Gjithsesi, Barcelona nuk përdori Mesin dhe Ibrahimoviçin ndaj Interit, megjithatë luajti shumë mirë. Ata kanë një sistem loje të kolauduar ku çdo futbollist jep maksimumin. Mesi ka aftësi të pazakonta, por të gjithë lojtarët e Barçës janë cilësorë dhe do të jetë e vështirë, me apo pa Mesin.
- Mendoni se ai është rivali juaj për titullin e lojtarit më të mirë të botës?
- Nuk jam i shqetësuar për këtë. Po mendoj vetëm si të fitojmë ndaj Barcelonës.
- Ju shijon "stili" i Real Madridit?
- Po. Jam i relaksuar pas fitoreve dhe gjatë gjithë kësaj kohe kam fjetur mirë. Kryesorja ndaj Barcelonës është të luajmë mirë, spektakli mund të presë.
- Pse shumica mendon se Barça luan më mirë se Reali?
- Sepse në fakt ata luajnë më mirë, por po të shihni ecurinë tonë do të dalloni se nuk jemi aspak keq.
- Sa gola dëshiron të shënoni të dielën?
- Dhjetë, njëzet… nuk e di, sa më shumë të jetë e mundur.
- Ngjason kjo sfidë me derbin anglez Mançester-Liverpul?
- Ndeshjet "klasike" janë të ngjashme në çdo vend sepse tifozët i adhurojnë ato. Gjithmonë janë sfida speciale. Tifozët i shohin më me pasion se zakonisht dhe kjo na "infekton edhe ne futbollistëve".
- Si përgatiteni për një ndeshje të tillë?
- Unë gjithmonë bëj disa studime për kundërshtarin. Këtë herë do të jetë një ndeshje speciale, sepse në rast fitoreje mund të ngjitemi katër pikë mbi Barcelonën. Përgatitja e ndeshjeve derbi është më e vështirë se zakonisht, sepse këto nuk janë ndeshje të zakonshme.
- Në momentet e para të dëmtimit tuaj, Reali pati një krizë…
- Nuk mund të fitosh të gjithë trofetë, pa pasur vështirësi. Duhet të sakrfikosh për të arritur sukesin dhe aktualisht është ajo që ne po bëjmë. Ndoshta nuk kemi një stil loje brilant, por po fitojmë rregullisht duke shtrënguar dhëmbët. Pastaj kur të vijë edhe loja, do të bëhemi të pathyeshëm. Dy apo tri humbje në harkun e sezonit nuk ndikojnë aspak në fitimin e trofeve. Ne kemi ende për t’u përmirësuar, por ndërkohë kemi arritur rezultate më të mira se çdo skuadër tjetër në Spanjë dhe Champions.
- Herën e fundit që keni luajtur ndaj Barcelonës, ishit lojtar i Mançesterit dhe u mundët në finalen e Ligës së Kampioneve. Keni një "çështje të hapur" me katalanasit?
- Unë kam një çështje të hapur vetëm me disa fatura uji dhe dritash që nuk i kam paguar ende. Barcelona luajti më mirë se ne dhe fitoi. Ajo që ndodhi i përket së kaluarës. Jam në një klub tjetër tani dhe unë kam gjithmonë mentalitet fituesi.
- Ksavin, Injestën, Mesin apo Ibrën, cilin do të blinit po të ishit presidenti i Realit?
- Asnjërin, por janë të katërt futbollistë shumë të mirë.
- Jeni të vendosur t’i tregoni të gjithëve se mund të luani më mirë se Barcelona?
- Nuk është finalja e Ligës së Kampioneve. Eshtë një ndeshje ku luhet për tri pikët ndaj një kundërshtari të fortë. Çfarë do të ndodhë nëse fitojmë të dielën dhe humbasim në ndeshjen tjetër. Gjithçka do të ishte e kotë. Duhet të kemi vazhdimësi. Do të jetë e vështirë, e di mirë, por personalisht i kam parashikuar të tilla pengesa.