30 nëntor 2009
Bufoni del në mbrojtje të brazilianëve
Pret dhe hidhet edhe jashtë fushës. Bufon është numri një në hedhjen poshtë të kritikave, që i janë drejtuar brazilianëve të Juves pas ndeshjes me Bordonë. “Diego, Felipe Melo dhe Amauri janë profesionistë seriozë. Fakti se janë sulmuar ata të tre ka plagosur gjithë ekipin, sepse fitojmë dhe humbim si skuadër. Kritikat duhet të na ndërgjegjësojnë të gjithëve, - ka thënë Bufon, - sepse ky grup duhet të përmirësohet akoma më shumë për të dalë nga ky moment vështirësie, duke bërë disa paraqitje të mira. Kur kalon tek Juventusi pritshmëritë janë shumë të mëdha. Në momentin kur vijnë gabimet e para është e pashmangshme që në shënjestër të kritikave të përfundojnë lojtarët e rinj. Diego, Amauri dhe Melo janë tre lojtarë të mëdhenj dhe Juventusi ka arritur t’ia heqë nga dora klubeve më të mëdha të Europës. Këta do të na ndihmojnë për të fituar diçka të rëndësishme”. Portieri i është përgjigjur edhe deklaratave të kapitenit të interit, Havier Zaneti, (”në rast se do të ketë kore raciste ndaj Balotelit do t’i kërkoj arbitrit të ndërpresë ndeshjen”). “Tifozët e Juventusit nuk do të bien në këtë kurth. Koret raciste sigurisht nuk i bëjnë mirë klubit. Eshtë e drejtë që këto veprime të dënohen, por nuk duhet zmadhuar çështja duke i transformuar koret tallëse në kore raciste”, ka thënë ai.