Katër lojtarë të kampionit të Evropës, Barcelonës, janë në mesin e dhjetë lojtarëve që do të luftojnë për çmimin prestigjioz Ballon d’Or (Topi i Artë).
Lionel Messi është kandidati kryesor për të fituar çmimin që ndahet nga revista franceze France Football. Argjentinasit i janë bashkuar edhe tre bashkëlojtarë në listën e ngushtë të kandidatëve, të cilët janë Xavi, Andres Iniesta dhe Zlatan Ibrahimovic, i cili iu bashkua ekipit spanjoll gjatë verës nga Interi.
Samuel Eto’o, i cili shënoi golin e parë në fitoren 2-0 të finales së Ligës së Kampionëve ndaj Manchester United në sezonin e kaluar, dhe i cili verën e kaluar kaloi te Interi si pjesë e shkëmbimit me Ibrahimovic, po ashtu është pjesë e 10 lojtarëve që do të luftojnë për këtë trofe.
Nga Liga Premier janë tre lojtarë: sulmuesi i Manchester United, Wayne Rooney, mesfushori i Liverpoolit, Steven Gerrard, dhe sulmuesi i Chelseat, Didier Drogba.
Në lojtarët e mbetur janë dy përforcimet e verës të Real Madridit, fituesi aktual Cristiano Ronaldo dhe mesfushori brazilian Kaka.
Nga gara tashmë janë përjashtuar sulmuesi i Liverpoolit, Fernando Torres, që përfundoi i 11-ti në votimet e fundit, mesfushori i Arsenalit, Cesc Fabregas, i 12-ti, Ryan Giggs, i 14-ti dhe Thierry Henry i 15-ti.