
Zdenek Zeman është rikthyer të flasë. Dhe natyrisht nuk ka kursyer njeri: “Mourinjo? Kur ka ardhur në Itali ka thënë se do të luante me skemën 4-3-3, - ka shpjeguar Zeman. - Por nuk e ka bërë asnjëherë. Ka provuar dhe ka dështuar. Të gjithë prisnin shumë nga ai, por…”. Në lidhje me armikun e tij të madh, Luçiano Moxhi: “Ai ka thënë se nuk merret më me futbollin, por unë mendoj se nuk është tërhequr akoma”. Më pas, ka kritikuar edhe futbollin italian. “Eshtë e vështirë të gjej një skuadër që më pëlqen”. Në lidhje me karrierën e tij. “Për momentin jam vetëm një spektator dhe duke banuar në Romë ndjek Lacion dhe Romën, por në këtë moment këto dy skuadra nuk po kalojnë një periudhë pozitive. Ndërsa, mua do të më pëlqente të shkoja në stadium dhe të shikoja një ndeshje të bukur”, ka thënë trajneri çek, që në vazhdim ka pranuar: “Ka takime të bukura dhe këto i dhurojnë skuadra si Xhenoa, Udineze dhe Fiorentina”. Përsa i përket deklaratave të tij në lidhje me skandalin ‘Calciopoli’: “Nuk kam bërë deklarata, vetëm sa i jam përgjigjur pyetjeve të prokurorit për ato që dija, - ka thënë Zeman. - Fërkimet me Moxhin kanë qenë fatale për karrierën time. Gjithçka ka filluar në vitin 98-të, kur kam thënë se në futbollin e asaj kohe nuk më pëlqenin ilaçet që përdornin futbollistët. Futboll më i pastër? Duhet të jetë i tillë. Por është folur aq shumë për sistem, që do të thotë se shumë njerëz kanë qenë të përfshirë dhe këta vazhdojnë të punojnë akoma”. Ndërkohë, Interi i Mourinjos nuk i pëlqen aspak ish-trajnerit të Foxhias, Lacios dhe Romës, megjithëse ai mendon se dominimi i zikaltërve ka për të zgjatur edhe për disa vite: “Për të bërë një modul të caktuar duhet të kesh lojtarët e duhur, Mourinjo nuk i ka patur dhe kur ka mundur të vendosë vetë ka bërë zgjedhjet e gabuara. Kampionati? Nëse gjërat vazhdojnë kështu Interi ka për të fituar edhe dhjetë të tjerë”, ka thënë Zeman.