24 nëntor 2009

Xherrard beson te përmbysja e imagjinueshme

Kapiteni i Liverpulit, Stiven Xherrard, e ka ndihmuar më parë skuadrën e tij të bëjë disa përmbysje të magjishme rezultati, por këtë herë në Ligën e Kampionëve skuadra e tij gjendet përballë një situate të vështirë, që mund të jetë shumë edhe për të. Liverpuli është në prag të eliminimit nga ky edicion i Ligës së Kampionëve, pasi ka pesë pikë më pak se Fiorentina e vendit të dytë, kur kanë mbetur edhe dy ndeshje për t’u luajtur. Kjo do të thotë se edhe nëse fiton knudër kampionëve të Hungarisë, Debrecenit, në Budapest, nuk do të jetë e mjaftueshme nëse Fiorentina mund Lionin. Por mesfushori anglez ia ka dalë mbanë herët e tjera
. Goli i bukur i tij në dhjetor të vitit 2004 kundër Olimpiakosit shmangu eliminimin e Liverpulit në fazën e grupeve. Më pas, Liverpuli po mundej 3-0 në finale të Ligës së Kampionëve nga Milani në vitin 2005, por arriti të barazonte 3-3 dhe të fitonte trofeun me penallti. Në finalen e Kupës së Anglisë në vitin 2006, një tjetër goli bukur i Xherrardit në sekondat e fundit, e çoi ndeshjen kundër Uest Hemit në kohë shtesë dhe Liverpuli më pas fitoi me penallti.
Pasi e ka marrë veten nga një dëmtim i gjatë, Xherrardi po përpiqet të ringjallë Liverpulin e topitur në Premier Ligë dhe thuajse të eliminuar nga Liga e Kampionëve. “Atmosfera në skuadër është e mirë, edhe pse e dimë që nuk jemi në situatë të mirë në grup, - ka thënë Xherrardi. - Por ne kemi besim te aftësitë tona dhe mund t’i vëmë gjërat në vijë të mbarë. Kemi kaluar javë të vështira, sepse sapo e mora veten erdhi pauza e ndeshjeve ndërkombëtare. Mezi kam pritur të luaj dhe shpresoj të kthehem sa më shpejt në formën më të mirë.” Liverpuli, që ka katër pikë nga katër ndeshje, përballet me Debrecenin që nuk ka asnjë pikë, duke mos pasur në formacion sulmuesin Fernando Torres, i cili ka disa javë që nuk luan për shkak se është i dëmtuar.