24 nëntor 2009

Champions League..

Mundësia e fundit për Rejnxhërsin dhe Shtutgartin

Çdo rezultat tjetër, veç fitores, do t’i nxirrte jashtë gare skocezët dhe gjermanët
Rejnxhërsi aktualisht kryeson ligën skoceze, kurse Shtutgarti është nga fundi i tabelës së renditjes në Bundesligë dhe ndeshja e sotme mes tyre në “Ibrox Park” duket se anon më shumë nga fitorja e vendasve. Të dyja skuadrat kanë nevojë për një fitore që të kenë shans të kalojnë në fazën tjetër të kompeticionit më prestigjioz në Evropë. Rejnxhërsi mundi lehtësisht Kilmarnokun 3‑0 të shtunën, ndërsa Shtutgarti barazoi 1‑1 me Hertën e Berlinit, që mbyll renditjen në ligën gjermane. Forma e Rejnxhërsit në Grupin G ka qenë shumë e dobët dhe është mundur 4‑1 nga Sevilja dhe rumunët e Unireas, që janë në vend të parë dhe të dytë në grup. Shtutgarti ka tri pikë, ndërsa Sevilja e ka arritur tashmë kualifikimin për në 1/16 e Ligës së Kampionëve dhe do të siguronte vendin e parë në grup nëse nuk mundet nga Unirea. Një fitore për rumunët do të eliminonte Rejnxhërsin, edhe nëse ata mundin Shtutgartin.
Skudra gjermane, që ka lënë poshtë vetëm Rejnxhërsin, do të mund të arrinte matematikisht Unirean nëse fiton kundër skocezëve. Shtutgarti barazoi me vështirësi kundër Hertës në kampionat të shtunën dhe Zdravko Kuzmanoviç ishte autori i barazimit në minutën e 82-të, por pas disa minutash u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe u largua nga loja. Trajneri Markus Babel përdori Kakaun dhe Ciprian Marican në sulm, kurse Pavel Pogrebnjak ishte në stol dhe u fut më pas në vend të Aleksandr Hlebit. “Ndoshta do të ketë efekte të mira për ne kjo ndeshje në Skoci. Luajmë në transfertë dhe nuk kemi presion të madh. Rejnxhërsi ka nevojë për fitoren gjithashtu.
E dimë që do të luajmë kundër një skuadre të mirë me shumë përvojë ndërkombëtare, por jam i bindur se i kemi aftësitë për të fituar në fushën e tyre”, ka thënë Babel. Rejnxhërsi nuk e njeh humbjen në ligën skoceze këtë sezon dhe skuadra e trajnerit Uolter Smith nuk ka pësuar gol në ndeshjen e fundit. Smith ka lënë pushim algjerianin Mexhid Bugherra, që luajti për Algjerinë kundër Egjiptit të mërkurën dhe u kthye në Skoci më vonë se ç’parashikohej. Fitorja 1-0 i dha Algjerisë një biletë për në Kupën e Botës. Edhe pse Bugherra ka pasur një dëmtim në gju, duhet të luajë kundër Shtutgartit, por Smith është i zemëruar nga vonesa e algjerianit pas ndeshjes në fushën neutrale në Sudan.

Sevilja, Fabiano: Besoj te finalja e Madridit

Luis Fabiano mendon se Seviljes i duhet më shumë besim te vetja për të shkuar në finalen e Ligës së Kampionëve në muajin maj në “Santiago Bernabéu”. Fabiano dihet që beson në Zot, por braziliani përmend vetëbesimin më shumë se ndërhyrjen hyjnore si faktorët kryesorë për suksesin e skuadrës andaluziane. Ndërkohë që trajneri Manuel Himénez i ka kërkuar Seviljes së kualifikuar të sigurojë vendin e parë në grup duke barazuar ose fituar kundër FC Unirea Urzicenit sonte në Bukuresht, Fabiano, i cilësuar si “sulmuesi më i mirë në botë” nga trajneri Dan Petresku i Unireas, ka thënë: “Për sa i përket finales në Madrid, unë besoj se asgjë nuk është e pamundur në futboll.
Ne jemi një skuadër me shumë lojtarë me prëvojë dhe kemi aftësinë e nevojshme. Kaq na nevojitet, më pas vjen fati. Por sigurisht që duhet të kemi së pari besim te vetja. Ne kemi një skuadër të madhe dhe mund të luajmë kundër kujtdo, por ndonjëherë na mungon besimi se mund të fitojmë. Në momentet më të rëndësishme na mungon besimi. Por unë kam besim se Sevilja do të arrijë gjëra të mëdha nëse ka më shumë besim në aftësitë e veta.”

Barça-Inter, brenda apo jashtë…?!

Katanalasit nuk kanë alternativë tjetër veç fitores, ndaj italianëve që kryesojnë grupin
Sulmueri i Interit, Samuel Eto, kthehet në “Camp Nou” për të parën herë që prej largimit të tij nga Barcelona. Ai e gjen ish-skuadrën e tij në rrezik eliminimi nga Liga e Kampionëve, pasi një humbje sot, e kombinuar me fitoren e Rubinit kundër Dinamos së Kievit në Grupin F do ta nxirrte jashtë loje Barcelonën dhe Interi do të kalonte në raundin tjetër. Eto e ndihmoi Barcelonën të fitonte tetë trofe, përfshirë tre trofetë e vitit që shkoi. Sulmuesi kamerunas ka pohuar se nuk do të festojë nëse shënon kundër ish-skuadrës së tij, në një stadium që i ka dhënë lavdi. “Nuk do ta festoj kurrë golin në “Camp Nou”, ka thënë Eto. - Eshtë një vend ku kam kaluar më shumë momente të bukura se sa të këqija.” Trajneri i Interit, Hoze Mourinjo, e aktivizoi vetëm në pjesën e dytë Etonë kundër Bolonjës në kampionat, në fitoren 3‑1 të shtunën, që i dha Interit epërsi prej pesë pikësh me ndjekësit.
“Eto do të jetë titullar në Barcelonë, prandaj e lashë Samuelin të pushonte pak të shtunën, sepse nuk është ende në 100 për qind”, ka thënë Mourinjo. Barcelona barazoi 1‑1 me Atletik Bilbaon të shtunën, duke i lejuar Real Madridit të zërë vendin e parë. Gjërat për Barçën janë keqësuar nga dëmtimet e Zlatan Ibrahimoviçit dhe Lionel Mesit bashkë me disa lojtarë të tjerë. Ibrahimoviç, që u ble nga Interi në verë, është i dëmtuar, ashtu si edhe Mesi. Kaka Ture dhe Abidal nuk lujanë për shkk të gripit të derrave, por Markuez pritet të luajë, ashtu si edhe Xherard Pike. Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, do të ketë ndërmend gjithashtu edhe derbin e së dielës kundër Real Madridit, para se të vendosë për aktivizimin e tyre. “Unë jam i shqetësuar për shëndetin e lojtarëve të mi.
Dua që ata të shërohen dhe të luajnë”, ka thënë Guardiola. “Ibrahimoviçi është 99.99 për qind i shëruar dhe jam i bindur se do të luajë”, ka thënë ai. Barcelona e humbi ndeshjen e kalaur në “Camp Nou” me rezultatin 2-1 kundër Rubinit të Kazanit muajin që shkoi, por nuk është mundur dy herë në dy ndeshje evropiane radhazi. Klubi spanjoll dhe Rubini kanë nga pesë pikë , Interi ka 6 dhe Dinamo e Kieit ka 4. “Kjo është një finale për”, ka thën Serxhio Buskuets. Mefushori i Barçës ka shtuar se do të jetë dueli i dy skuadrave më të mira të Evropës.

Rubini, kampionët e Rusisë pranë historisë

Pasi e mbrojti me sukses titullin kampion në Rusi fundjavën që shkoi, Rubini i Kazanit mund të bëhet e vetmja skuadër ruse që kalon fazën e grupeve sonte kundër Dinamos së Kievit. Rubini do të kualifikohej për më tej nëse fiton kundër Dinamos dhe Interi fiton kundër Barçës. Interi aktualisht kryeson grupin me gjashtë pikë, një më shumë se Barcelona dhe Rubini dhe dy më shumë se Dinamo e Kievit. Në vitin 1995, rusët e Spartakut të Moskës kaluan në fazën tjetër pasi fituan të gjashtë ndeshjet e grupit. Rubini, që u bë e para skuadër jomoskovite që mbron me sukses titullin në Rusi, mundi Barcelonën 2‑1 në “Camp Nou” më 20 tetor dhe më pas barazoi 0-0 dy javë më vonë. Rubini barazoi pa gola me Zenitin e Petërsburgut të shtunën dhe morën titullin një javë para përfundimit të kampionatit. Skuadra ruse nuk ka të dëmtuar dhe sulmuesi argjentinas Alehandro Dominkues do të jetë sërish në aksion. Një humbje në Kazan do ta eliminonte Dinamon e Kievit, që e mundi Rubinin 3‑1 në shtator. Dinamo e Kievit nuk do të ketë dy qendërmbrojtësit e tij. Jevhen Kaçeridi u dëmtua në play off-in e Ukrainës në Greqi, kurse Leandro Almeida është i skualifikuar. Portieri Oleksandr Shovkovskij pritet të jetë në formacion.

Arsenali synon të harrojë humbjen në Premier

Pas disfatës në kampionat, “topçinjtë” kërkojnë të sigurojnë kreun e Grupit H
Arsenali do të kërkojë të kthehet te fitorja pas një humbjeje të befasishme në Premier Ligë dhe të marrë pikët e nevojshme për të kaluar në raundin tjetër në Ligën e Kampionëve. Barazimi me Standard Liezhin në “Emirates Stadium” sonte do të jetë i mjaftueshëm për të kaluar në fazën tjetër, edhe pse Vengeri do që skuadra e tij të fitojë dhe të lërë pas humbjen 1-0 kundër Sandërlendit. “Momentalisht është një goditje e madhe”, ka thënë Venger pas asaj ndeshjeje që e zbriti skuadrën e tij në vendin e tretë me tetë pikë pas Çelsit. “Nuk ishim mirë sa duhej, çaluam pak”, ka shtuar ai. Lajmi i mirë për Vengerin është se skuadra e tij është thuajse e kualifikuar për më tej. Edhe nëse mundet nga belgët sonte, do të kishte tri pikë më shumë se Standardi.
Arsenali ka dhjetë pikë nga tri fitore dhe një barazim dhe është katër pikë para Olimpiakosit, që viziton holandezët e Alkmarit, që renditen në vendin e fundit. Standardi ka katër pikë, pasi ka humbur 3‑2 kundër Arsnealit, dhe ka nevojë për fitore me dy gola në “Emirates”, të mundë Alkmarin dhe më pas të shpresojë që Arsenali të mundet nga grekët. Standardi e nis këtë ndeshje me mungesën e dy sulmuesve. Serbi Milan Jovanoviç ka thënë se kishte shumë pak shanse që të luante sepse kishte dëmtim në kofshën e majtë, kurse braziliani Kamargo nuk do të udhëtojë fare për në Londër. “Ndeshja kundër Arsenalit është ndoshta më e rëndësishmja e këtij viti, por nuk mund t’ia lëndoj këmbën”, shtoi Jovanoviç.
Ndeshjet e sotme i japin mundësinë Vengerit që të shikojë disa prej lojtarëve të rinj, sidomos që kur Robin van Perse nuk luan për shkak të dëmtimit. Vengeri ka lavdëruar Karlos Velan për ndeshjen e bërë kundër Sandërlendit si zëvendësues. Meksikani luajti vetëm 19 minuta por dha kontribut të madh. “Vela është lojtar fantastik dhe vetëm 20 vjeç. Ne kemi investuar shumë tek ai; e dërguam në Spanjë vjet, e morëm dhe tani po i qëndrojmë pranë”, ka thënë Venger. Edhe pse kryesonte në fillim, Standardi u mund 2‑1 nga Gent të shtunën në ligën belge.

Alkmari kërkon fitoren e parë në Champions

Alkmari duhet të mundë Olimpiakosin sonte nëse dëshiron të ketë shanse kualifikimi për në fazën e mëtejme të Ligës së Kampionëve. E fundit në Grupin H me vetëm dy pikë, Alkmari ende është në kërkim të fitores së parë në Ligën e Kampionëve dhe është e vendosur të shpartallojë grekët e Olimpiakosit. “Nuk mendoj që Olimpiakosi po vjen të bëjë lojë të bukur, por për t’u mbrojtur”, ka thënë trajneri i holandezëve. Grekët kanë pasur probleme me të dëmtuarit, pasi nëntë lojtarë janë prekur nga dëmtimet.
Trjaneri Ziko shpreson që kriza do të kalojë deri në fillimin e ndeshjes. “Mat Derbishire, Diogo, Luciano Galeti, Jaouad Zairi, që shënon gola, të gjithë nuk kanë luajtur sepse kanë qenë të dëmtuar dhe bëjnë pjesë në listën prej nëntë lojtarësht titullarë që nuk luajnë. Kam shpresë të kem katër prej tyre për ndeshjen në Ligën e Kampionëve. Mbrojtësi Vasilis Torosidis shënoi golin e fitores me kokë në ndeshjen e muajit shtator mes këtyre skuadrave. Skuadra greke ka gjashtë pikë nga katër ndeshje dhe është e dyta në grup pas Arsenalit me 10 pikë. Standardi i Liezhit ka 4 pikë.