Nëse italianët fitojnë ndaj Lionit, kualifikohen për në 1/8-t e finaleve, duke lënë jashtë LiverpulinFiorentina mund të kalojë në fazën tjetër të Ligës së Kampionëve për të parën herë në një dekadë, nëse fiton sonte kundër Lionit që është kualifikuar. Fitorja e tyre do të eliminonte pesë herë kampionët e Evropës, Liverpulin, duke zhvlerësuar çdo rezultat në ndeshjen e anglezëve kundër Debrecenit. “Kjo është ndeshja më e rëndësishme e vitit”, ka thënë trajneri i Fiorentinës, Çezare Prandeli. Lion kryeson Grupin E me 10 pikë, Fiorentina e ndjek me nëntë, Liverpuli ka katër pikë dhe Debreceni asnjë. “Objektivi ynë është kualifikimi dhe tani kemi shansin të zëmë vendin e parë”, ka thënë ai. Kapiteni i Lionit, Kris, ka thënë: “Do të jetë e vështirë sepse Fiorentina kërkon të kualifikohet. Presim të jetë një ndeshje shumë e fortë fizikisht.”
Të dyja skuadrat kanë mungesa për shkaqe dëmtimi. Fiorentina nuk ka sulmuesit Adrian Mutu dhe Stevan Jovetiç, plus mbrojtësin Alesandro Gamberini. Lionit i mungon mesfushori Zheremi Tulalan, mbrojtësi i djathtë Fransua Klerk dhe qendërmbrojtësi Matië Bodmer. Mbrojtësi i djathtë i Lionit, Antoni Reveje, është në dyshim për shkak të një dëmtimi në pulpë. Pa lojtarë si Mutu dhe Jovetiç, Fiorentina do të varet te aftësitë e Alberto Xhilardinos në sulm. Ai u skualifikua me një ndeshje për shkak se e goditi Tulalanin me bërryl në fytyrë në ndeshjen e humbur 0-1 kundër Lionit në shtator.
Lioni gjithashtu e mundi Fiorentinën 2‑1 në Firence një vit më parë duke e eliminuar nga turneu. Fiorentina u mund 3-2 nga Parma të shtunën, ndërsa Lioni barazoi me Grenoblën që luante me dhjetë lojtarë. Ajo ishte madje pika e dytë e Grenobles këtë sezon. “Ne jemi shumë të mirë, -ka thënë Kris. - Kur kundërshtarët luajnë kundër nesh, janë të pamëshirshëm. Edhe ne duhet të jemi të tillë.” Lioni është në vend të tretë në Ligën 1, një pikë pas kryesuesve të Okserit dhe me pikë të barabarta me Bordonë. “Ne duhet të mbledhim veten shpejt. Duhet të bëjmë më shumë se kaq”, ka thënë mesfushori boshnjak i Lionit, Miraleim Pjaniç, pas ndeshjes kundër Grenobles.