16 nëntor 2009

Vieri në Brazil, gati firma me Boavistën

Kristian Vieri s’ka aspak ndër mend ta lërë futbollin. Madje sipas lajmeve që vijnë nga Brazili, duket se sulmuesi është gati të sistemohet në vendin e “sambës”. Sipas “Globeosport”, Vieri paska zbarkuar dje në mëngjes në aerportin e Rio de Zhaneros, i shoqëruar nga e fejuara Melisa Sata. Në orët e ardhshme duhet të nënshkruajë një kontratë që do ta lidhë me Boavistën, formacion jo sigurisht i nivelit të parë në kampionatin vendës. Ish sulmuesi i Lacios, Juves, Interit e Milanit, do të nënshkruajë një kontratë 6 mujore në këmbim të një rroge prej 50 mijë dollarë, rreth 33 mijë euro në muaj, plus një makinë me shofer dhe një apartament përballë plazhit. Ajo që e ka bindur Vierin, sipas shtypit brazilian, paska qenë realizimi i një prej ëndrrave të tij, që të jetojë në Rio. Por Boavista nuk i luan ndeshjet e brëndshme në Rio, por në një qytet tjetër një orë e gjysmë larg me makinë nga Rio dhe që konsiderohet një nga “kryeqytetet” botërore të sërfit.