Trajneri "axurr" ka nënvlerësuar "reklamën" që iu bë sulmuesit nga Bari: Unë qesh për këto gjëraMes një testi dhe një tjetri, Marçelo Lipi analizon situatën e grupit "axurr" drejt Afrikës së Jugut: "Kam 16‑17 lojtarë të sigurt, ‑ tha trajneri i kombëtares, ‑ vendet e lira do të jepen në bazë të dëshirave dhe mundësive". Lipi më pas driblon mbi temën "Kasano" dhe mbi hyrjen në fushë të një tifozi që mbante në bluzën e tij një mbishkrim: "Kasano në kombëtare". "As që më bëhet vonë, janë gjëra që më bëjnë të qesh, unë vetëm qesh dhe kaq. Mos duhet ta marr sepse ka një fanellë "Supermeni"?. KASANO - Një tifoz i futur në fushën e lojës në ndeshjen e të shtunës (Presidenti i federatës italiane të futbollit, Abete, është zemëruar nga ky fakt, duke thënë : "Një episod i shëmtuar për imazhin e Italisë") ka kaluar para teknikut Lipi me një fanellë ku shkruhej: "Kasano në kombëtare", por ai nuk e ka parë: "I kisha hequr syzet pikërisht në atë moment…". Fantazisti i Barit është përmendur më shumë se një herë nga koret që janë dëgjuar në shkallët e stadiumit të Peskarës, por edhe këto duket se i kanë shpëtuar trajnerit italian: "Publiku ka qenë i shkëlqyer. Nuk kam dëgjuar kore të veçantë", ka thënë ai. Trajneri i Italisë shprehet i kënaqur me lojën e skuadrës dhe ka mbetur i befasuar nga Antonio Kandreva, që mesa duket është i vetmi që mund të shpresojë për të marrë pjesë në botërorin afrikanojugor. "Jam i kënaqur me lojën që kemi bërë, sepse nuk duhet harruar se përballë kishim një kundërshtar të fortë. Dhe nuk i kemi lejuar shumë hapsira, falë presingut të madh që kemi bërë e kemi detyrurar Holandën të ndryshojë lojën e saj, duke parë se shpesh e kanë kthyer topin mbrapa". KANDREVA - Zakonisht Lipi nuk flet shpesh për lojtarët në veçanti, por këtë herë ka bërë një përjashtim për debutuesit dhe jo vetëm: "Biondini, ashtu si të tjerët, duke përfshirë edhe Rosin, janë paraqitur mirë duke i dhënë më shumë gjallëri lojës tonë, sidomos në pjesën e dytë. E di që të debutosh në moshën 22-vjeçare si Kandreva, nuk është një gjë e lehtë. Por ai nuk është ndikuar më shumë se ç’duhej nga kjo dhe më ka pëlqyer mënyra sesi ka qëndruar në fushën e lojës. Ka treguar cilësi të mëdha që do të mund t’i tregojë më shumë me kalimin e kohës". PIRLO - Më pas trajneri italian ka nënvizuar: "Patëm mentalitetin e duhur. Por nuk arrij të shpjegoj arsyen për pasimet e shumta të gabuara. Pa këto gabime një paraqitje e mirë mund të kishte qenë shumë e mirë dhe ndoshta edhe mund të kishim fituar". Midis shumë pasimeve të gabuara, kanë befasuar ato të Pirlos, por trajneri i të kaltërve i ka bërë komplimenta organizatorit të tij: "Siç thoshte Lidolm duhet të bëjmë një ‘ooh’ sepse Andrea ka gabuar një pasim pas 15 vitesh. Tani ai bashkë me Bufonin, Kanavaron dhe Zambrotën do të kthehen në shtëpi. Të mërkurën kundër Suedisë do të ndryshojmë shumë". FAULLAT DHE DORA - Përsa i përket golit të anulluar: "Ka qenë Pacini që i ka thënë arbitrit se e kishte prekur topin me dorë. Pa drejt meje, duke më shpjeguar se çfarë kishte ndodhur, dhe i kam thënë se ishte e drejtë t’ia tregonte këtë gjyqtarit. Faullat e Van Bomelit? Edhe ne bëmë shumë ndërhyrje të ashpra".