25 nëntor 2009
Van der Sar kënaqet me kualifikimin pa surpriza
Edvin van der Sar ka shprehur gëzimin e tij që Mançester Junajtid ka evituar çmendurinë e këtij sezoni në Ligën e Kampionëve duke e siguruar para kohe kualifikimin në raundin tjetër, ndryshe nga disa skuadra të mëdha evropiane që rrezikojnë të skualifikohen. Edhe pse vëmendja më e madhe është te Liverpuli, ka edhe disa klube të tjera të mëdha që rrezikojnë të mos jenë në raundin tjetër. Bajerni i Mynihut nuk është në situtë më të mirë se Liverpuli, por edhe Barcelona, kampionia e Evropës, ende nuk e ka siguruar kualifikimin, ashtu si edhe Milan ose Real Madrid. “Grupet e tjera janë të çmendura”, ka thënë Van der Sar. “Zakonisht secila skuadër e madhe donte të ishte në vend të parë në grup për të evituar përplasjen me vendin e parë të grupit tjetër, por tani të jesh në vend të parë do të thotë të kesh short më të vështirë në shkurt. Gjëja më e rëndësishme është të fitojmë kundër Beshiktashit dhe më pas le të ndodhë çfarë të dojë.” Junajtid luan kundër turqve në “Old Trafford” duke e ditur se fitorja do t’ia sigurojë vendin e parë në Grupin B. Kualifikimi për në raundin tjetër është më se normal për Junajtid, që ka luajtur në tre gjysmëfinalet dhe në dy finalet e fundit të Ligës së Kampionëve.