25 nëntor 2009

Juventusi kërkon të mbyllë llogaritë

Bardhezinjtë mund të kualifikohen me fitoren në Bordo. Gurkuf dhe Shamakh, mungesat e francezëve

Juventusi udhëton drejt Bordosë së shpartalluar nga mungesat e shumta me shpresën që të bëhet sonte skuadra e dytë e Grupit A që arrin kualifikimin për fazën tjetër të Ligës së Kampionëve. Juventusi mundi Udinezen 1-0 të shtunën duke mbajtur vendin e dytë në Serie A, pesë pikë pas Interit, dhe mund të sigurojë vendin në 1/16 e këtij turneu nëse fiton. Bordoja, që është kualifikuar falë fitores 2-0 kundër Bajernit në raundin e mëparshëm, kryeson grupin me 10 pikë, dy më shumë se italianët. Bajerni, që pret Makabi Haifan e vendit të fundit ka tri pikë dhe është në vend të tretë

. “Duhet të përpiqemi të mundim Bordonë dhe kjo do të na i lehtësojë gjërat shumë”, ka thënë mesfushori juventin Muhamed Sisoko, njëri prej lojtarëve më të mirë të bardhezinjve. Juventusi do të garantonte një vend në raundin tjetër nëse merr të njëjtin rezultat si Bajerni kundër Makabit. Mbrojtësi i majtë Fabio Groso shënoi golin e tij të parë që pas transferimit nga Lioni dhe përvoja e tij në ligën franceze mund ta ndihmojë Juven kundër Bordosë. “E njoh stadiumin dhe atmosferën atje. Eshtë një skuadër e mrekullueshme dhe e ka treguar këtë duke u kualifikuar”, ka thënë Groso, i cili i dha fitoren Italisë në finalen e Kupës së Botës 2006 kundër Francës

. “Nuk e di nëse atyre do t’u mungojnë lojtarë kryesorë, por ne duhet të fokusohemi te vetja.” Bordoja, që ka pësuar humbjen e parë në dy vjet në fushën e vet pikërisht kundër Valonsionit 1-0 këtë fundjavë, nuk do të ketë organizatorin Joan Gurkuf dhe sulmuesin Maruan Shamakh. Të dy kanë shënuar 18 gola në të gjitha kompeticionet këtë sezon. Gurkufi është dëmtuar në barazimin e Francës 1-1 kundër Irlandës, javën që shkoi dhe nuk luajti në kampionat, ndërsa Shamakh u dëmtua në ndeshjen kundër Valonsionit dhe është në dyshim.

Kapiteni i Juves, Alesandro Del Piero, është kthyer në pjesën e dytë kundër Udinezes pasi ka humbur dy muaj për shkak të dëmtimit. Organizatori brazilian i Juventusit, Diego, ka mirëpritur kthimin e Del Pieros pasi të dy bashkë e kanë treguar mirë potencialin e tyre. Del Piero mund ta nisë nga stoli nëse trajneri Çiro Ferrara vendos ta ruajë për ndeshjen kundër Interit më 5 dhjetor. Sulmuesi Vinçenco Iakuinta nuk luan për shkak se është i dëmtuar, ndërsa David Trezege do të mungojë edhe një muaj pasi ka një problem në pulpë.