Me golat që ka shënuar në karrierën e tij, kapiteni verdhekuq synon tani të thyejë çdo rekord
Plaku i Vitit të Ri ka një shikim shumë dinak për të qenë ai origjinali. Nën veshjen e zakonshme, në fakt, shkëndija e syrit është gjithmonë ajo e Terminatorit. Nga e cila duhet patur frikë, sidomos kur i afrohet zonës së rreptësisë së kundërshtarit. Por martesa midis reklamave dhe futbollit të Mijëvjeçarit të Tretë, ndoshta, kërkon ndarje të tilla. Për këtë arsye Françesko Toti ka kaluar pothuajse gjithë ditën e martë, pas tregolëshit kundër Barit, në sheshin e xhirimit, duke regjistruar reklamën e radhës me gruan e tij Ilari Blazi.
NGA FOXHIA TE BARI - Domethënë, për rreth dhjetë orë, golat e kampionatit janë harruar. Nga i pari tek i fundit, nga Foxhia (4 shtator 1994) tek Bari (të dielën e kaluar). Në mes 189 realizime që e kanë çuar në vendin e 8-të në renditjen e golashënuesve më të mirë në historinë e Serisë A me dy faza dhe, mbi të gjitha, dëshira për t’u konfirmuar golashënuesi më i mirë i kampionatit si në vitin 2007 (”mund t’ia dal mbanë”, u thotë miqve), kur në fundin e atij sezoni e priste “Këpuca e Artë”.
Nga ana tjetër, ritmet janë më të larta, duke parë se në atë sezon në javën e 13-të, golat e shënuar nga ai ishin 7 dhe jo 9 si në sezonin aktual. Kështu, nuk është për t’u habitur që agjensitë e basteve në Itali e japin si favorit në garën për të fituar renditjen e golashënuesve në kampionat dhe për t’u rikthyer tek kombëtarja.
PIKE TE RENDESISHME - Por pikërisht në ditët kur Toti ka nënshkruar rinovimin e kontratës së tij deri në vitin 2014 (dhe si drejtues i klubit deri në 2019-ën) ka dalë një statistikë që tregon sesi numri 10 i verdhekuqve i ka dhënë Romës 162 pikë falë 97 golave, nga 187 në total, që ka realizuar deri tani. Nga Foxhia te Bari, pikërisht, duke llogaritur se nëse këtyre ndeshjeve të Serisë A do t’i hiqeshin golat e realizuar nga Toti Roma do të kishte barazuar ose humbur.
LIPI VLERESON - Nuk është një rastësi që të dielën komplimentat për Totin kanë ardhur nga të gjitha anët. Nëse Zeman nga Trevizo e cilësonin si “i vetmi talent i futbollit italian”, Lipi fërkon duart në pritje të Botërorit. “Jam shumë i kënaqur për tregolëshin, sepse Françesko edhe këtë herë është ringritur pas një dëmtimi të rëndë”.
E vërtetë. Jo rastësisht verdhekuqi, me 26 gola të realizuar në kampionat dhe në kupa e Europës, është sulmuesi italian, që ka shënuar më shumë në vitin kalendarik 2009. Për këtë arsye nuk është një surprizë, nëse nga Afrika e Jugut ish-laciali Mark Fish, i vetmi lojtar i bardhë i kombëtares që në vitin 1996 fitoi Kupën e Afrikës, ka thënë qartë: “Do të bëja gjithçka për të marrë Totin në skuadër, sepse është një lojtar shumë cilësor”.
ROMA - Ndërkohë, vazhdon situata kritike që ka të bëjë me problemet ekonomike të klubit verdhekuq. Edhe në takimin që është zhvilluar ditën e hënë midis kryebashkiakut të qytetit të Romës, Alemano, presidentes së klubit verdhekuq Rosela Sensi dhe përfaqësuesve të bankës Unikredit dhe Mediobankës nuk është arritur një marrëveshje midis palëve. Presionet ndaj klubit do të vazhdojnë. Për të arritur paqen, më shumë se maskimet e Totit, ndoshta do të duhej ndërhyrja e Plakut të Viti të Ri të vërtetë. Por ai duket se ka gjëra të tjera për të bërë.