Të përsëritet çdo detaj si në Meksikë ‘86
Tifozët argjentinas kanë gjetur "recetën" për të rikthyer përfaqësuesen e tyre në majën e futbollit botëror: Lionel Mesi duhet të bëjë flokët me onde, për t‘i ngjarë sa më shumë Diego Armando Maradonës në Botërorin 1986. Iniciativa e veçantë është organizuar nga një sajt elektronik në vendin amerikanojugor, që paraqit në faqen e parë një fotografi të "pleshtit", ku ai ngjason më shumë si Maradona, me të njëjtin model flokësh, i cili bëri të famshëm "Pibe de Oro" në vitet e tij më të mira. Në Argjentinë, një kërkesë e tillë është përhapur me "shpejtësinë e dritës", kjo edhe prej faqeve sociale, ku vendin kryesor e ka mbajtur "Facebook". Në faqen që propozoi e para "vizitën" e Mesit te parukieri përpara se të udhëtonte drejt Afrikës së Jugut, janë dhënë edhe disa arsye përse ylli i Barcelonës duhet ta ndryshojë modelin e flokëve. Mes kërkesave serioze të supersticiozëve, nuk kanë munguar as shpjegimet e ashtuquajtura "shkencore", që kapin kufijtë e qesharakes. Sipas "teorisë" inxhinierike "kaçurrelat e dendura do t‘i jepnin mundësi Leo Mesit që të vraponte porsi një raketë", ndërsa ajo fizike theksonte se "ondet do ta ndihmojnë të ruante më mirë ekuilibrin në fushë, ashtu siç ndodh me krahët aerodinamikë të makinave në Formula 1". Përveç Maradonës, janë cituar edhe shumë emra të mëdhenj të futbollit, të cilëve modeli i flokëve u ka dhënë "forcë" në fushë, si kolumbianët Rene Higuita dhe Karlos Valderrama. Këtyre shpjegimeve u shtohen edhe arsye "mitologjike", e thënë ndryshe përpjekja për të imituar sa më mirë që të jetë e mundur gjithçka që ndodhi në Kupën e Botës të zhvilluar në Meksikë ‘86. "Për të fituar Botërorin 2010, është e domosdoshme që të përsëritim të gjitha detajet e Meksikë ‘86", lexohej në sajtin në internet. "Nuk ka asnjë dyshim se ishin pikërisht ondet ato që i lejuan Maradonës dhe Argjentinës të fitonin Kupën e Botës". Në harkun e pak orëve, më shumë se dymijë tifozë kanë lënë komentet e tyre rreth kësaj çështjeje dhe të gjithë i kanë kërkuar Mesit të bëhet Maradona i Argjentinës.