19 nëntor 2009

“Sirena” angleze për Gatuzon, e kërkon Siti

Shtypi britanik shkruan se mesfushori kuqezi qenka gati të luajë i huazuar te Mançesteri, por menaxheri përgënjeshtron
Shtypi anglez është i sigurt: “Gatuzo është gati t’i mbyllë marrëdhëniet me Milanin për të nënshkruar me Mançester Sitin në merkaton e janarit”. Sipas të përditshmes “Daily Mirror”, klubi i sheikut arab, është më shumë se një hipotezë për mesfushorin kuqezi, i cili, duke mos u konsideruar më një zgjedhje e parë nga Leonardo, parapëlqen të luajë në Angli deri në fund të qershorit për të mos rrezikuar të humbasë vendin në Botërorin që vjen. Kontrata e Gatuzos skadon në 2011-ën.
Edhe pse mesfushori i kombëtares “axurre” do të ishte një blerje ideale për Sitin e trajnerit Hjuxhs (trajner i tij që në kohën kur luante te Reinxhërsat), duke parë mungesën e një lideri që ta udhëheqë skuadrën, zgjidhja e menjëhershme është e pamundur. Bisedimet, ndonëse të vështira, duhet kohë që të finalizohen plotësisht, pasi edhe kontrata e Rinos skadon në sezonin që vjen. Te një Milan që ka ndërmend të rinojë organikën, siç tregojnë dhe lëvizjet e fundit në merkato, nuk është e thënë që mesfushori 31-vjeçar të ketë një vend të sigurt.
Por menjëherë pas lajmit u detyrua të ndërhyjë edhe menaxheri i Gatuzos, Andrea D’Amiko, për të përgënjeshtruar zërat që e shohin klientin e tij të gatshëm të shkojë drejt Mançester Sitit. “Xhenaro është shumë mirë tek Milani, - tha D’Amiko. - Ai po punon për t’u kthyer në formë pas dëmtimit. Në këto momente nuk ka pasur asnjë kontakt me Mançester Sitin”. Nga ana tjetër, priten edhe deklaratat e vetë futbollistit, që sigurisht duhet të bëjë ndonjë sqarim në lidhje me lajmin. Por nëse edhe këtë javë, Leonardo do ta mbajë në stol edhe ndaj Kaljarit, si do të reagojë Gatuzo?