19 nëntor 2009

Italia e përçarë nga çështja “Amauri”

Të kaltrit kanë mendime të ndryshme në lidhje me brazilianin. Kielini e Legrotalje të ekuilbruar

Në fillim kanë ardhur pëshpëritjet, tani pohimet e sinqerta. Tema është, Amauri tek Italia. Në lojë është një vend për Botërorin 2010, ndërsa rreziku është largimi i menjëhershëm i atyre që merren me këtë temë, duke parë se (siç kanë bërë të ditur drejtuesit e Federatës Italiane), Lipi nuk pëlqen të vihen në diskutim zgjedhjet e tij.

Por një gjë është e qartë, sepse me mikrofonë të fikur shumë lojtarë tregojnë se çështja “Amauri” është më e diskutuara në dhomat e zhveshjes. Akoma më shumë, kur Pacini ka dalë hapur, duke thënë: “Do të bezdisesha. Ai nuk ka lidhje me Italinë”. Një frazë që i bashkohet asaj të thënë nga Gatuzo, nëntë muaj më parë: “Nuk jemi Azerbajxhani apo Finlanda, por Italia katër herë kampione e botës”. Edhe Alberto Xhilardino ka shprehur të njëjtin mendim disa kohë më parë: “Në sulm jemi shumë, nuk kemi nevojë për Amaurin”.

Groso, Maxhio dhe Marketi i janë shmangur çështjes (”janë zgjedhjet e Lipit”). Ndërsa, Kielini: “Eshtë një gjë e shëmtuar të flasësh për ata që mungojnë. Nëse nuk flasim për Ammaurin, Kasanon dhe Totin këtë e bëjmë për respekt të grupit. Nuk ekziston asnjë ndarje. Ndoshta, Pacini e ka bërë atë deklaratë sepse ka të njëjtin pozicion me të. Kushdo që të vijë do ta presim në mënyrën e duhur. Himni? Edhe nëse nuk e këndon, do ta mësojë, ashtu siç ka bërë Kamoranezi”. Mbyllja i takon Legrotalies: “I repsektojmë idetë e Pacinit, por edhe ai duhet të respektojë vendimet e Lipit. Grupi është më i rëndësishëm se individi. Në stadiume njerëzit thërrasin emrin e Kasanos, sepse për të flitet shumë në shtyp. Për mua Amauri nuk është as italian as brazilian, është një koleg”, ka thënë mbrojtësi bardhezi.