19 nëntor 2009

Laveci ëndërron një Napoli për Champions

Exekuiel Laveci në të gjithë fushën. I ashtuquajturi “Pocho”, në prag të ndeshjes në “San Paolo” kundër Lacios, analizon situatën e skuadrës së tij pas një periudhe të shkëlqyer nën drejtimin e Maxarrit: “Nuk është se kemi ndryshuar shumë pas ardhjes së Maxarrit në stol, - shpjegon sulmuesi argjentinas. - Ne jemi të njëjtët, kemi fituar vetëm pak më shumë besim në forcat tona. Po përjetojmë thjesht një moment të bukur, por duhet të bëjmë gjithnjë më shumë dhe të përpiqemi të përmirësohemi edhe në krahasim me atë që po bëjmë”.
Pas një fillimi të vështirë, sidomos pas tensionit që pati me klubin, Laveci është kthyer të luajë si dikur në nivele të larta: “Unë jam po i njëjti, - vazhdon Laveci, - nuk kam ndryshuar aspak, e thonë ata që ndoshta nuk më njohin shumë mirë. Futbolli italian më ka ndihmuar të rritem në aspektin taktik”. Laveci i ka idetë e qarta edhe për objektivat që Napoli duhet të ndjekë: “Për të arritur në Champions, duhet të kemi vazhdimësi. Në nivelin personal, shpresoj të shkoj në Botëror me Argjentinën”.