Me fitoren 3‑1 kundër Bolonjës, Interi i Mourinjos rikonformohet si një makinë perfekte në udhëtimim për titullin e kampionatit italian. Jo për shaka, të premten Mourinjo ka bërë psikologun me futbollistin Baloteli, i cili ia shpërblen me gol në fitoren e të shtunës. Përveç aftësive të pafund si trajner, konferencier, menaxher, shoë man etj., trajneri portugez demonstron të ketë edhe aftësitë si psikolog. Të gjitha statistikat flasin në favor të Interit, si skuadra që ka mbrojtjen dhe sulmin më të mirë, të bazuar mbi një sistem loje kolektive dhe forme fizike të përkryer. Fitorja ndaj Bolonjës, bën që Interi jo vetëm të ruajë i vetëm kreun e renditjes, por edhe të mbajë distancën nga ndjekësit e tij, Milani dhe Juventus, të cilët gjithashtu fituan në këtë javë, brenda fushave të tyre.
Milani vazhdon kështu serinë e rezultateve pozitive, duke mundur Kaljarin me rezultatin 4‑3. Golat e shumtë tregojnë e flasin për një ndeshje shumë të bukur e plot emocione. Shumë ofensive e rezultative skuadra e Leonardos, por që la për të dëshiruar në repartin difensiv, ku ndikoi shumë edhe mungesa e mbrojtësit Nesta. Megjithatë, drejtuesit e Milanit u shprehën të kënaqur, duke deklaruar se preferojnë të fitojnë gjithmonë me rezultatin 4‑3 dhe jo 1‑0. Meritë në spektaklin e lojës kishte edhe Kaljari i trajnerit Alegri, që luajti një futboll me vizion të hapur, edhe pse jashtë fushe dhe kundër një skuadre të madhe. Ndërsa te Milani janë brazilianët, Pato dhe Ronaldinjo, të cilët me golat e tyre i dhurojnë fitoren Leonardos. Nga ana tjetër, te Juventusi është kampioni i botës, Groso, që me golin e tij të parë për bardhezinjtë, i jep qetësinë dhe lumturinë trajnerit Ferrara, në ndeshjen kundër Udinezes. Një ndeshje me rezultat të ngushtë, por shumë e vleshme për tri pikët, të domosdoshme në ndjekjen e Interit për titull. Gustoja e fitores shtohet edhe për faktin që kundërshtari ishte një skuadër e fortë me një plan dhe sistem loje nga më të qëndrueshmit në kampionatin italian, për të cilën pa dyshim ka meritë trajneri i Udinezes, Marino. Fitore për tifozët e Juventusit ishte edhe rikthimi i kapitenit Del Piero, i shumëpritur pas problemeve të tij fizike, gjatë kohëve të fundit. Një tjetër rikthim i një fenomeni në Seria A, të dielën ishte edhe ai i Totit, i cili me tripletën kundër Barit përshëndet të gjithë dashamirësit e Romës dhe simpatizantëve të tij. Tre golat në fitoren 3-1 të Romës kundër Barit, jo vetëm e bëjnë Totin mbretin e së dielës futbollistike italiane, por edhe zgjojnë dëshirën dhe shpresën e të gjithë italianëve për thirrjen e tij në kombëtare, nga Lipi, i cili në një intervistë të fundit uron kapitenin e Romës për golat e shënuar dhe deklaron se marrëdhëniet mes tyre janë shumë të mira. Toti, gjithashtu, rikthen edhe qetësinë e trajnerit të tij, Ranieri, i cili e konsideron fenomenin të pazëvendësueshëm në mekanizmat e lojës që ai aplikon në repartin ofensiv. Nëse Ranieri feston, Ventura i Barit është i zemëruar, pasi nuk pranon mendjelehtësinë dhe euforizmin e lojtarëve të tij pas një serie të rezultateve dhe performancave pozitive.
Ndërsa Bari bie në gjunjë përpara Totit, Xhilardino bie ndaj Parmës, që vazhdon të mahnisë nga njëra ndeshje në tjetrën. Kësaj radhe fitorja bëhet edhe më e madhe, kur mendohet që kundërshtare ishte Fiorentina e Prandelit, dhe për më tepër në Firence. Rezultati 3‑2 tregon maturinë e futbollistëve të Parmës, pavarësisht se në strukturën e saj ka shumë lojtarë të rinj. Eshtë meritë e trajnerit Guidolin t’i drejtojë ata dhe t’i bëjë të jetojnë realitetin me sy hapur. Me këtë fitore, Parma shpallet edhe skuadra e javës, e simpatizuar nga të gjithë specialistët dhe opinionistët e futbollit. Nga ana tjetër, përgatitjet dhe vëmendjet për ndeshjen e radhës në Kupën e Kampioneve nuk e justifikojnë aspak humbjen e Fiorentinës.
Kreut të renditjes i reziston edhe Sampdoria e Kasanos, e cila me fitoren 2‑1 kundër Kievos së Bogdanit vazhdon të shpresojë për të arritur të drejtën e pjesëmarrjes në Kupat e Europës. Trajneri Del Neri kishte përgatitur më saktë dhe të ekuilibruar në mesfushë lojën e Sampdorias, ku dhe bëri diferencën me Kievon e trajnerit Di Karlo. Kasano nuk përmbahet jo vetëm gjatë ndeshjes, por edhe në premtimet e tij pas përfundimit të takimit, drejtuar tifozëve në stadium, që do të shënojë dy gola në derbin kundër Xhenovës, të shtunën e ardhshme.
Golat me fjalë të Kasanos i bëri realitet Livorno kundër Xhenovës kësaj jave, duke fituar me rezultatin e ngushtë 2‑1. Pavarësisht se Xhenova e trajnerit Gasperini ishte më e fortë në organikë dhe lojë, në fund u detyrua t’i nënshtrohet faktorit fushë dhe agonizmit të demonstruar nga Livorno e trajnerit Kozmi. Kështu, presidenti i Livornos, Spineli, fiton dhe derbin personal me presidentin Preciozi, të ish-skuadrës së tij Xhenova.
Ndryshe nga Xhenova, euforia e Napolit ngadalësohet përsëri nga një barazim. E vetmja ndeshje pa gola, 0‑0, ajo mes Napolit të Mazarrit dhe Lacios së Balardinit. Ndeshje pa shumë emocione, edhe pse me shumë agonizëm e ritëm të lartë. Rritet ideja dhe dëshira e drejtuesve të Napolit, në përforcimin e skuadrës gjatë merkatos së janarit. Për Lacion e Tares, barazimi shihet si një sukses i vogël, edhe për faktin që përballonte këtë takim pas një periudhe krize, si në lojë, ashtu dhe në rezultate.
Një tjetër barazim në këtë javë u arrit nga Katania në ndeshjen me Palermon. Një pikë e vështirë, që nuk ndryshon situatën e vështirë në renditje për Katanian e trajnerit Atzori. Rezultati 1‑1 në Palermo nuk ndihmon as Katanian dhe as trajnerin Zenga, i cili shkarkohet nga presidenti Zamparini dhe zëvendësohet me Delio Rosin, ish-trajnerin e Lacios.
Fundi i renditjes i peshon pa masë edhe Sienës, e cila humbet jo vetëm ndeshjen e radhës me Atalantën, por edhe trajnerin e saj, Baroni, i cili shkarkohet nga drejtuesit e klubit. Në vendin e tij u emërua trajneri i njohur Malezani. Trajneri i Atalantës, Konte, i gëzohet fitores së pastër 2‑0, për më tepër jashtë fushe, dhe arrin me pikë Bolonjën dhe Lacion, duke shpresuar përherë e më shumë në shpëtimin e rënies nga kategoria.