Braziliani i Milanit: Është e vërtetë që Europa na josh, por tani të fitojmë kampionatinRonaldinjo ka rigjetur buzëqeshjen, që i mungonte. Paraqitjet e ish-fituesit të “Topit të artë” në ndeshjet e fundit, u kanë pëlqyer kritikëve dhe para së gjithash si një lojtar-pasues, ka fituar një hapësirë të rëndësishme te Milani i ri i Leonardos. Humori i tij ka pësuar një rritje të dukshme dhe nuk është një rastësi që kohët e fundit është treguar i gatshëm të flasë edhe me mediat.
“Në këto momente arrij të jap shumë pasime, por dëshira për të shënuar nuk më ka kaluar, madje jam në kërkim edhe të golit, edhe pse vazhdoj të shërbej për shokët, - shpjegon sulmuesi kuqezi. - Jam jashtëzakonisht i kënaqur që gjërat po shkojnë mirë, sepse nuk ka asgjë më të bukur se të jesh i rëndësishëm për skuadrën”. Në pjesën e dytë ndaj Romës ndryshoi dhe sezoni i Milanit dhe ai i numrit 80 kuqezi, që ka rigjetur edhe një raport të veçantë me trajnerin e tij: “Me Leonardon ndihem mirë dhe jam i lumtur, edhe pse herën e fundit më zëvendësoi pa mbaruar ndeshja…
Të punosh me të është stimuluese, Leo është një njeri entuziazt nga natyra dhe të motivon shumë. Është një trajner i përgatitur, që do të tregojë vlerat e tij pas zgjedhjes që bëri klubi, - vazhdon Ronaldinjo. -Jam përshtatur mirë me futbollin italian, e flas mirë gjuhën, ndihem mirë fizikisht dhe e kam mendjen të kthjellët. Çfarë ka ndryshuar për mua mes Ançelotit e Leonardos? Që tani luaj…”. Në pritje për të rifituar një vend në kombëtare për “Botërorin 2010″, Dinjo i ka të qartë objektivat sezonalë: “Duam të arrijmë mes skuadrave të para në kampionat për t’u kualifikuar direkt në Champions vitin që vjen, por nuk i vëmë kufi vetes, - nënvizoi Gauçoja. - Kur thuhet që Milani është një skuadër për të luajtur në Europë sesa për kampionat, është e vërtetë. Rezultatet
po e tregojnë këtë, por ky është një limit dhe ne po punojmë të gjithë bashkë për t’u përpjekur të ndryshojmë prirjen, ose më mirë të kërkojmë të fitojmë edhe kampionatin”.