18 nëntor 2009

Pato në delir: Kam rilindur falë Leonardos

Sulmuesi brazilian ndihet i lumtur në rolin e ri dhe parashikon: Javë vendimtare, kujdes nga Kaljari
Filluam një javë të rëndësishme, sepse të dielën na pret ndeshja kundër Kaljarit, që është një skuadër e madhe”. Aleksandre Pato rindez motorët. Pas pushimit për kombëtaret, kampionati i Milanit do të rifillojë me sfidën në “San Siro” ndaj skuadrës së Masimiliano Alegrit. “Në javën e pushimit, kam punuar shumë për ta filluar mirë këtë javë dhe për të mundur të luaj mirë të dielën”, - shpjegon sulmuesi brazilian. Pato është dhe golashënuesi më i mirë i Milanit në kampionat me 7 gola të shënuar.
I fundit u shënua në fitoren që skuadra e Leonardos arriti në “Olimpiko” kundër Lacios 2-1. “Po, ndihem mirë në rolin e sulmuesit të krahut të djathtë ku po luaj kohët e fundit, ndaj jam shumë i kënaqur, - vazhdon “Patoku”. - Ndoshta jam më i qetë, sepse kam mësuar shumë gjëra në krahasim me vitin e shkuar”.
Në tredhëmbëshin sulmues, ish-talenti i Internacionalit të Porto Alegres, niset nga krahu i djathtë: “Mund të them se këtë vit ndihem shumë mirë në këtë rol, - shton ai. - Ndihem mirë edhe me Leonardon e me skuadrën dhe mund t’i ndihmoj edhe shokët e mi në fazën mbrojtëse.
Shpesh herë i dëgjoj shokët dhe kapitenin që më thërrasin të kthehem prapa për t’i ndihmuar. Jam i kënaqur që po arrij të luaj mirë në këtë periudhë. Kemi luajtur mirë në disa ndeshje, duhet të bëjmë akoma më shumë për të arritur në vend të parë dhe për t’u kthyer të zhvillojmë Ligën e Kampioneve vitin që vjen pa nevojën e ndeshjeve kualifikuese. Duhet vetëm të jemi të përqendruar për të luajtur mirë e fituar, pastaj të shohim çfarë do të ndodhë në fund”.
Në fund, numri 7 i kuqezinjve analizon momentin “jo” të shokut të tij, Jan Klas Huntelar: “Në Holandë ishte sulmuesi më i fortë dhe mendoj që mund ta ndihmojë edhe Milanin. - E di ç’do të thotë të mos flasësh gjuhën e vendit ku jeton, ke vështirësi në komunikim. Por me kohë gjithçka rregullohet”, - përfundon Pato.