Presidenti i Juventusit: E respektoj vendimin e gjykatës, por nuk jemi dakord me të
Nuk ka pushuar një moment Zhan Klod Blank në muajin e tij të parë zyrtar si president i Juventusit. Puna e menaxherit francez është frenetike, si për sa i takon drejtimit të skuadrës, ashtu edhe për infrastrukturën që po projektohet për të ardhmen. Puna për stadiumin e ri, një nga objektivat e tij të parë me Juven, vazhdon me ritme të shkëlqyera. “Do të jetë gati në maj të 2011-ës, - thotë Blanku.
- Një xhevahir i vërtetë: 105 milionë euro për 41 mijë vende. Madje ka kushtuar pak nëse mendohet që ndonjë president shpenzon më shumë për të blerë një lojtar. - Të premten e ardhshme, do të përurojmë një biletari në Galerinë “San Federiko”, ku që tani do të shiten hapësirat dhe vendet për tifozët “Vip” të stadiumit të ri. Vazhdojnë punimet edhe në Vinovo, në mënyrë që të rinjtë të mund të stërviten në krah të skuadrës së parë. Jemi të kënaqur kur talentet më të mirë italianë, do të kërkojnë të vijnë këtu të stërviten”.
Numri një i bardhezinjve, 46-vjeçari Blank, e ka të qartë objektivin sezonal të nivelit sportiv: “Ne synojmë titullin, - shtoi ai. - Nga ana tjetër, pas një vendi të dytë dhe të tretë, më duket logjike ta synojmë. Do të ishte kurorëzimi i tre viteve punë shumë të vështira dhe do të mbyllnim kështu kapitullin e parë të Juventusit të ri. Qëllimi ynë është t’i marrim trofetë e mëdhenj në selinë tonë.
Mbi faktin që kemi 29 tituj, kam thënë të vërtetën, atë që ndjen zemra ime. E respektojmë vendimin e instancave gjyqësore sportive, por kjo s’do të thotë se jemi dakord. Jam edhe unë në krahun e lojtarëve: nëse i pyesni ata sa tituj kanë fituar, do të përgjigjen 29. Prandaj, titulli i ardhshëm do të jetë i 30-ti… Dhe në rast fitoreje në këtë kampionat, do të vendosim edhe yllin e tretë mbi fanellë”.