25 nëntor 2009
Mesfushori Cana, në pasarelë për bamirësi te Sandërlend
Lorik Cana ka qenë një prej yjeve të mbrëmjes së përvitshme të modës që zhvillon Fondacioni SAFC. Qëllimi është që nëpërmjet aktiviteteve të klubit të Sandërlendit të grumbullohen fonde për bamirësi, për të ndihmuar projekte të ndryshme në komunitet: nëpërmjet parave që fitohen, çdo vit sigurohet mbështetje për mbi 30 mijë fëmijë. Mesfushori shqiptar, së bashku me gjashtë shokë të skuadrës dhe boksierin olimpik, Toni Xhefris, u ngjitën në pasarelën e krijuar posaçërisht për këtë ngjarje në suitën e "Stadiumit të Dritës", ku paraqitën disa prej koleksioneve më të fundit të modës. Pasi zbriti nga skena, Cana deklaroi: "Është diçka mjaft e bukur që skuadra përfshihet në një event kaq argëtues dhe jep kontributin për të ndihmuar komunitetin që nuk rresht duke na mbështetur në stadium".