25 nëntor 2009
Kupa e Pavarësisë, më 28 nëntor në Vlorë
Vlora do të organizojë më 28 nëntor Kupën e Pavarësisë, për të nderuar Festën e Pavarësisë. Federata Shqiptare e Futbollit ka marrë përsipër të organizojë trofeun e veçantë, ku përveç Flamurtarit vendas do të luajnë edhe FC Prishtina nga Kosova dhe skuadra nga Maqedonia, Shkëndija e Tetovës. Prishtina dhe Shkëndija kanë konfirmuar prezencën në aktivitetin ku marrin pjesë tri skuadra nga të gjitha trevat shqiptare. Ky event sportiv pason Kupën Mbarëkombëtare, trofe i cili është kthyer në traditë, ku fituesja e Kupës së Shqipërisë luan me fituesen e Kupës në Kosovë. "Morëm një ftesë nga FSHF-ja për një turne për festën e 28 nëntorit. Ne e kemi pranuar dhe në këtë datë Prishtina do të jetë në Vlorë", deklaroi drejtori ekzekutiv i klubit kosovar, Edmond Rugova.