25 nëntor 2009

Salihi, një superbomber në Austri

Ende nuk është mbyllur faza e parë Tipp 3 Bundesliga e Austrisë, por shifrat e sulmuesit Hamdi Salihi i kanë çmendur të gjithë. Sipas përllogaritjeve të fundit, shqiptari, i cili që nga fillimi i muajit shtator luan në radhët e skuadrës së njohur vendase, Rapidit të Vjenës, ka mesataren më të mirë të golave të shënuar për minutat në të cilat ai ka qenë i pranishëm në fushë. Kështu që gazeta austriake "Heute" ka publikuar dje të dhënat në lidhje me një fakt të tillë. Sipas saj, "Hamdi Salihi është rekordmeni absolut i golashënuesve më të mirë të kampionatit austriak të futbollit. Me 532 minuta lojë me bluzën e Rapidit në në Tipp 3 Bundesliga, shqiptari ka shënuar plot 7 gola. Kjo do të thotë: në një mesatare prej çdo 76 minutash, ai e ka dërguar topin në rrjetën e kundërshtarëve". Ndërkohë që në total, në këtë sezon Salihi ka shënuar 9 gola në 15 javët e para, 2 nga të cilët i ka shënuar me bluzën e ish-skuadrës së tij, Riedit. Kjo ecuri e jashtëzakonshme e futbollistit kuqezi është ndihmuar edhe nga skuadra e tij, Rapidi, që kryeson statistikat. Stadiumi "Hanappi-Stadion" i ka shitur thuajse të gjitha abonimet. Vetëm rekordin e më pak golave të pësuar e mban Strum Graz (me 13 gola), ndërsa me 37 golat e shënuar, Rapidi është ekipi me sulmin më të mirë.