19 nëntor 2009

Liverpul, Benitez pranon dështimin!

Trajneri spanjoll: Nëse nuk fitojmë titullin sivjet, për mua nuk ka justifikime
Trajneri i Liverpulit, Rafa Benitez, ka pranuar se ai do ta konsideronte një dështim nëse nuk do të arrinte të fitonte asnjë herë Premier Ligën. “Të Kuqtë” janë të etuar për t’i dhënë fund pritjes së tyre të gjatë për një triumf në kampionat me suksesin e fundit që ka ardhur në vitin 1990.
Skuadrën e Benitezit e pret një detyrë shumë e vështirë nëse do të rikthehen në luftë për titull në këtë sezon, ku pas disa ndeshjeve zhgënjyese, ata ndodhen 11 pikë larg Çelsit kryesues. Spanjolli është akuzuar se i ka dhënë më shumë rëndësi Champions Ligës në krahasim me kampionatin, por Benitez ka këmbëngulur duke thënë se ai do të donte të fitonte Premier Ligën. “Të gjithë ata që më njohin, e dinë se unë dua të fitoj gjithçka, pra çdo ndeshje”, ka thënë ai.
“Por nëse më pyesni se çfarë preferoj, unë do t’iu përgjigjesha, Premier Ligën. Nëse unë nuk e fitoj titullin, jam i sigurt se do të jem shumë i zhgënjyer dhe ndoshta do ta konsideroj një dështim”. Gjithashtu, Benitez, ka zbuluar se ëndrrat për të fituar titullin sezonin e kaluar kanë pësuar një goditje të madhe kur Liverpuli nuk ka arritur të marrë Garret Berrin nga Aston Vila. Berri ka qëndruar tek Vila pas shumë negociatave, duke u transferuar gjatë kësaj vere tek Mançester Siti.
Trajneri spanjoll beson se mungesa e blerjes së Berrit ka ndikuar edhe në shanset që ka patur Robi Kin për të patur sukses në “Ainfild”. Aventura e Kin me Liverpulin ka zgjatur vetëm gjashtë muaj para se të rikthehej përsëri tek Totenhemi. “Plani ka qenë që Berri të luante në krahun e majtë dhe të kombinonte me Robi Kinin, që do të luante në sulm me Torres. Por Berri nuk ka ardhur. Efekti anësor ka qenë Kin, i cili u transferua nga Totenhemi tek ne para se të sigurohej Berri. Por përparësia jonë ishte Berri, më pas Kin”, ka thënë Benitez.