Sulmuesi i Liverpulit, Fernando Torres, ka shumë mundësi të mungojë në ndeshjen e kësaj fundjave kundër Mançester Sitit, por Stiven Xherrard, Glen Xhonson dhe Daniel Ager duhet të jenë gati. Torres ka një problem në ije, që është përkeqësuar gjatë javëve të fundit, duke e vështirësuar rekuperimin e lojtarit. Golashënuesi më i mirë i “Të Kuqve” nuk ka luajtur as në ndeshjen e fituar nga Spanja kundër Argjentinës në mesjavë. Megjithatë, përballja me Sitin ka ardhur shumë shpejt për spanjollin me Liverpulin që shpreson që ai do të ritkhehet në kohë për takimin me Evertonin që do të zhvillohet në fundin e këtij muaji.Xherrard, i cili është rikthyer të luajë kundër Birmingamit, në ndeshjen e fundit të zhvilluar në kampionat, ka deklaruar se është gati për Sitin. Glen Xhonson, i cili ka qenë i detyruar të mos luajë në takimin e Anglisë kundër Brazilit për shkak të një problemi në gju, ka rekuperuar dhe do të jetë në dispozicion të Rafa Benitezit këtë fundjavë. Edhe Ager është rikthyer të stërvitet pas një dëmtimi në shpinë.