Braziliani i Juves ka reaguar pas deklaratave të bëra nga sulmuesi i Sampit mbi të ardhmen në kombëtareNë Torino është shumë ftohtë në këtë periudhë, ndërsa në Rio de Zhaneiro temperaturat prekin 30 gradët gjatë gjithë vitit. Torinezët zhvillojnë një jetë të qetë dhe të përmbajtur, deri diku monotone në krahasim me brazilianët, që kërcejnë dhe luajnë futboll pothuajse gjatë gjithë ditës. Megjithatë, sulmuesi i Juventusit, Amauri, ka zgjedhur të jetojë në Itali, sepse luan me Juventusin, është në pritje të nënshtetësisë italiane dhe, sapo kjo të mbërrijë (flitet për muajin mars), do të kërkojë të sigurojë një vend tek kombëtarja e Italisë për botërorin e ardhshëm.
ÇESHTJE DELIKATE - Eshtë e kotë të mohohet, pas Kasanos është ai, çështja tjetër delikate për Lipin në pritje të Kupës së Botës, që do të zhvillohet verën e ardhshme në Afrikën e Jugut. Pasaporta italiane do të vijë pas datës 3 mars nga Ministria e Brendshme, pasi të mbarojnë të gjitha proçedurat burokratike, dhe ndoshta lojtari brazilian do të jetë në kohë për t’u grumbulluar me kombëtaren “axurre”.
Pra, do të bëhet italian një njeri që mbiemrin e ka Karvajo de Oliveira dhe ka lindur në Karapikuba. Për këtë arsye, ata që në të ardhmen e afërt mund të jenë shokët e tij të skuadrës nuk janë shumë të bindur, por dhe tifozët janë skeptikë, pa përmendur lojtarët që janë në garë me të për një vend në kombëtaren e Italisë. Xhiampaolo Pacini ka qenë i qartë: “Nuk jam në garë me Amaurin për një vend në kombëtare pasi ai nuk është italian”. Dhe janë të shumtë ata që kanë të njëjtin mendim me lojtarin e Sampdorias. Sulmuesi i Juves ndihet i padëshiruar, por tani që ndodhet një hap larg ëndrrës nuk ka ndërmend të tërhiqet mbrapa, madje, do të luftojë deri në fund.
ITALIA - “Kam një vit që e kam marrë këtë vendim, si futbollist jam rritur në këtë vend, kam kërkuar pasaportën italiane dhe i tillë ndihem”, ka thënë sulmuesi juventin, duke iu kundërpërgjigjur deklaratave të Pacinit.
DEL PIERO - Janë të shumtë ata që ëndërrojnë një vend në ekip për botërorin afrikanojugor, po kështu edhe shoku i tij i skuadrës, Del Piero. “Dhe bën mirë, Botërori është objektivi i të gjithë futbollistëve. Tek Juventusi jemi tre sulmues dhe të tre të fortë, po dhe jemi në garë me njëri-tjetrin, duke luajtur për të mirën e Juves, teksa objektivi i parë është shumë i rëndësishëm”, ka përfunduar Amauri.