Marçelo Lipi ka lënë të kuptohet se Amauri mund të grumbullohet me Italinë në të ardhmen. Gjithashtu, mund të rikthehet edhe Alberto Akuilani. Trajneri i kampionëve të botës në fuqi ka lëshuar një mesazh të qartë: “Ku është e shkruar se duhet të grumbulloj vetëm ata lojtarë, që kanë luajtur gjatë fazës kualifikuese? Kjo fazë nuk ndikon në listën përfundimtare që do të plotësohet para botërorit.Mund të marr si shembull Akuilanin, që nëse luan me vazhdimësi tek një skuadër e madhe si Liverpuli, nuk duhet ta grumbulloj me ekipin për shkak të ndeshjeve kualifikuese?”, ka thënë Lipi, që në lidhje me pasaportën e Amaurit ka përsëritur se “do të flasim kur të vijë momenti i duhur. Deklarata e Pacinit? Ka thënë një gjë të drejtë dhe normale, sepse sot Amauri është brazilian, por kur të bëhet italian do të flasim për këtë”.