19 nëntor 2009

Felipe Melo: Mos më vlerësoni më nga çmimi

Ajri i “Selesaos” i bën mirë Felipe Melos. Me fanellën e Brazilit, mesfushori i Juventusit jep gjithnjë maksimumin dhe që kur debutoi shkurtin e shkuar pikërisht kundër Italisë së Lipit, nuk ka dalë më nga 11-ja titullare. Karlos Dunga e konsideron një element vendimtar. “I pëlqej ndoshta për personalitetin që tregova në ndeshjen e Londrës me “axurrët”, - rrëfen Melo. - Kur erdha në kombëtare, rruga ishte e vështirë. Dunga nuk ka ndryshuar shumë që kur ishte lojtar. Në çdo rast tregon sedrën dhe dëshirën e tij për të fituar.

Pastaj flet shumë, dialogu është gjithçka për të drejtuar një grup. Rendimenti im mes Brazilit e Juves? Nuk mund të mendohen këto gjëra që në nëntor. Nëse për t’i thënë këto gjëra përfshihet edhe shuma që më bleu Juvja, as që ka kuptim të flasësh. Nuk është një gjë që varet nga unë. Mua më takon vetëm të shpërblej zgjedhjen që bëri klubi, duke synuar tek unë dhe unë e di që nuk do të zhgënjej dhe asnjë nuk do të pendohet mbi investimin e bërë. Nuk ka Melo të ndryshëm, ekziston vetëm një dhe kaq”.