16 nëntor 2009

Kuzhe: Ma bëjnë të tjerë formacionin? No Coment!

Duket se e ka bërë praktikë pune tashmë. Menjëherë pas kthimit nga Estonia, trajneri i kombëtares, Josip Kuzhe, ashtu sikurse veproi edhe pas kthimit nga Suedia, ka dalë në një konferencë për shtyp në Tiranë. I vendosur para gazetarëve, Kuzhe ka analizuar miqësoren e luajtur të shtunën në Talin. Miqësore e cila, sipas tij, shërbeu për të rikthyer atmosferën e mirë në kampin kuqezi dhe besimin te futbollistët. Trajneri kroat foli për gjendjen aktuale të kombëtares, ndërsa bëri të ditura edhe planet për të ardhmen kuqezi. “Ndeshjen miqësore me Estoninë e konsideroj si një fillim të ri, pasi ishte testi i parë pas eleminatoreve. Ne, sigurisht që kishim disa objektiva në ballafaqimin me Estoninë. I pari është ai, që synohet gjithnjë në futboll, të merrnim një rezultat pozitiv. E dyta, duhej të përcaktonim mënyrën tonë të lojës dhe të krijonim një atmosferë të mirë. Pas asaj humbjeje 4-1 me Suedinë, gjëja e parë që kërkoja nga futbollistët kishte të bënte me një organizim të mirë në mbrojtje. Dhe këtë e thashë edhe pas ndeshjes në Estoni, se me mbrojtjen isha i kënaqur. Ju donit të kisha provuar më shumë lojtarë të rinj, por pa futbollistë si Skela, Duro apo Cana, ne e kemi të pamundur të luajmë. Dhe pas këtij barazimi, unë pashë një gjendje më të mirë te skuadra.”
Gazetarët e kanë ngacmuar trajnerin Kuzhe edhe me një deklaratë të ish-kapitenit kuqezi, Rudi Vata, bërë një ditë më parë, se “Kuzhes ia bëjnë të tjerët formacionin”. Akuzë të cilën e ka hedhur poshtë trajneri aktual i kombëtares: “Do të isha i sëmurë nëse do të mendoja se futbolli shqiptar fillon me ardhjen time këtu. Unë nuk e di çfarë ka ndodhur në të shkuarën, por ne duhet të respektojmë historinë. Për momentin, as nuk dua ta komentoj pyetjen nëse mua më ndërhyjnë në formacion apo jo”, - u shpreh tekniku kuqezi.
Në lidhje me të rinjtë, që u aktivizuan në Talin, në miqësoren me Estoninë, Kuzhe vlerësoi veçanërisht Elis Bakajn. Ky i fundit, sipas trajnerit Kuzhe, është një lojtar i gatshëm për të luajtur edhe titullar me kombëtaren.
Lidhur me mosgrumbullimin e Besart Berishës dhe replikën e këtij të fundit, për mosdhënie të asnjë arsyeje, kroati ka nënvizuar: “Në këto momente Shqipëria ka një potencial të madh sulmuesish për të ardhmen, duke nisur nga Bala, Roshi, Cikalleshi, Januzi apo Shkurtaj, por për momentin sulmuesit e kombëtares janë Bogdani, Salihi dhe Kapllani. Po kështu më pëlqejnë si sulmues të majtë Bakaj apo Hyka, që mund të luajnë në krahë. Unë e respektoj çfarë ka bërë Berisha për kombëtaren, por për në Estoni bëra disa zgjedhje dhe kaq.”
Sa i takon portës, referuar edhe aktivizimit të Hidit si titullar në Estoni, Kuzhe ka sqaruar gjithçka: “Beqaj do të jetë portieri kryesor i kombëtares, pas tij konsideroj zgjedhje të dytë Ujkanin”.