16 nëntor 2009

Kapelo: Brazili, favoriti kryesor…

Trajneri i Anglisë: “Selesao” është ekipi për t’u mundur në Afrikë. Kanë diçka më shumë edhe se Spanja
Fabio Kapelo e ka identifikuar Brazilin si rrezikun më të madh për shpresat e Anglisë për t’i dhënë fund pritjes 43-vjeçare për një triumf në Kupën e Botës. Megjithatë, Kapelo nuk ka fshehur as admirimin e tij për kombëtaren spanjolle. Fituesit e Euro 2008-ës kanë vënë në vështirësi Anglinë në Sevilje në fillimin e këtij viti, kur pasimet e shpejta të Andres Iniestës, Ksavit dhe Ksabi Alonsos i kanë mahnitur dhe trullosur ata. Kapelo gjithashtu mendon se, ashtu si Liverpuli, edhe sulmi i Spanjës varet shumë nga Fernando Torres. Por, tani është shfaqur një rrezik tjetër. Brazili është bërë më kërcënues. Sepse ata kanë të njëjtat cilësi të shkëlqyera si paraardhësit e tyre. Megjithatë, tani shikohet një seriozitet dhe etikë pune që nuk vjen nga plazhi i Kopakabanës, por nga fakti se të gjithë lojtarët e Dungës aktivizohen në Europë. Kjo skuadër ka bindur në Kupën e Konfederatave, ku Brazili ka dalë fitimtar dhe akoma më shumë kundër Argjentinës disa muaj më parë kur ata kanë shkatërruar rivalët e vjetër. Tani Kapelo e ka parë nga afër forcën e kësaj skuadre pas humbjes 1-0 të pësuar nga Anglia e tij të shtunën në Doha. Dhe ai e ka pranuar se nuk do të jetë e lehtë të gjehet një zgjidhje. “Ka qenë hera e parë që ne kemi luajtur kundër një ekipi shumë të fortë fizikisht, të shpejtë dhe të aftë teknikisht”, ka thënë Kapelo. “Stili i tyre ndryshon shumë me atë të Spanjës, që është shumë e aftë në aspektin teknik. Ata bëjnë shumë pasime. Por ata nuk janë të fortë fizikisht dhe nuk mbrohen mirë. Kur ne kemi luajtur kundër Spanjës ata kanë qenë të shkëlqyer, por gjithsesi ne arritëm të krijonim katër raste për gol. Të shtunën e kaluar unë numërova vetëm dy; një kur Xhejms Milner ka bërë një krosim dhe një tjetër kur Uejn Runi ka tentuar të godasë pas disa finteve. Kur mendon për këtë, unë nuk besoj se Brazili do të jetë një ekip i lehtë për t’u mundur”. Në organizimin e disa ndeshjeve të forta miqësore Kapelo nuk ka qenë i shqetësuar për rezultatin më shumë sesa për paraqitjen e skuadrës në tërësi dhe lojtarëve të veçantë. Gjëja më negative për teknikun italian ka qenë se rezultati në fund ka qenë edhe aspekti më pozitiv i ndeshjes. Në fund të fundit, ajo ka qenë skuadra e dytë e Anglisë që përballej me një Brazil që, me përjashtim të Luizaos dhe Robinjos, ka patur në dispozicion të njëjtët lojtarë me të cilët ka mposhtur Argjentinën në Rozario. I vetmi problem ka qenë se Brazili e ka konsideruar ndeshjen e të shtunës së kaluar si një mundësi për të dhuruar spektakël dhe lojtarët anglezë duhej të kishin përfituar nga ky fakt. Përkundrazi, ata kanë arritur vetëm të ruajnë diferencën prej një goli, sepse Luiz Fabiano ka humbur një penallti dhe gjuajtja e Lusios ka përfunduar në shtyllë. “Ne na mungonin shumë lojtarë”, ka thënë Kapelo, duke shpjeguar humbjen e tij të katërt si trajner i Anglisë dhe të dytën në tre ndeshje. “Kjo skuadër nuk ka luajtur shumë ndeshje, por unë jam i kënaqur me paraqitjen e disa lojtarëve”. Kapelo sigurisht e kupton se duke qenë shumë larg përfshirjes në planet e tij për Afrikën e Jugut, disa prej lojtarëve të tij kanë qenë në kërkim të një tjetër dere. Anglia ka edhe një ndeshje për të zhvilluar para se të përcaktohen emrat përfundimtarë të grupit që do të marrë pjesë në Botëror. Kapelo do të gjejë kundërshtarin e mundshëm për miqësoren e 3 marsit pas shortit për fazën me grupe të Botërorit që do të hidhet më 4 dhjetor në Kejp Taun. Pas ndeshjes të së shtunës në mbrëmje, ai mund të shpresojë vetëm që lojtarët e dëmtuar të rekuperohen sa më shpejt.