24 nëntor 2009

Gatuzo mendon largimin, Çelsi e Siti në pritje

Mesfushori kuqezi kërkon të largohet për shkak të hapësirës së pakët. Adriano e Galiani përgënjeshtrojnë
Pavarësisht se Galiani dhe trajneri Leonardo kanë përgënjeshtruar menjëherë gjithçka, nuk ka më dyshime,mbi faktin që Rino Gatuzo i ka kërkuar klubit të shitet në merkaton e janarit. Mesfushori kuqezi, ashtu siç ndodhi në 2008-n, ku ajo që e bindi ishte një bisedë me Adriano Galianin (që nuk e shiti te Bajerni i Mynihut), kërkon të largohet nga Milani për të luajtur me vazhdimësi dhe të gëzojë një formë të mirë në prag të Botërorit.
Zgjedhjet e Leonardos, siç nënvizohen dhe mbështeten vetë edhe nga administratori i deleguar kuqezi, janë të qarta: “Është e qartë që në këto momente luan vetëm njëri mes Rinos, Ambrosinit e Flaminisë”. Gjërat mund të përmirësohen me ardhjen e David Bekhamit në janar. Ofertat nuk mungojnë për mesfushorin me origjinë kalabreze: është ajo shumë tërheqëse në aspektin profesional e Mançester Sitit, apo edhe e Çelsit të ish-trajnerit Karlo Ançelotit, marrëdhëniet me të cilin vazhdojnë të jenë të shkëlqyera edhe në aksin Londër-Milano. Por nuk mungon as oferta e majme në aspektin ekonomik, që vjen nga sheikët e Dubait.
Një tjetër çështje për t’u sqaruar pra në shtëpinë e Milanit, pas asaj të rinovimit të kontratës me Didën dhe Inzagin.
GALINI - Nga ana tjetër nuk mungon as reagimi i klubit. Pas qëndrimit të Leonardos (”Milani besoj se shpejt do ta përgënjeshtrojë lajmin që Gatuzo paska kërkuar të shitet në janar”), vjen dhe konfirmimi i dytë i Adriano Galianit pas zërave të fundit. “Thjesht nuk është e vërtetë, Rino nuk ka folur asnjëherë për këtë gjë me ne, - tha Galiani. - Në këto momente është i dëmtuar, pastaj e kuptoj atë që mund të jetë roli i tij në fushë, me një Pirlo të pazëvendësueshëm dhe një modul me vetëm një mesfushor, në çdo ndeshje do të luajë njëri mes Ambrozinit e Flaminisë.
Duke parë që vështirë se do të ndryshojmë modul, do të jetë kështu edhe në të ardhmen. Do të bëjmë edhe rotacion sigurisht, por Rino është një lojtar i madh dhe është shumë i lidhur me Milanin”. Duke bërë shaka në fund, Galiani e mbyll idenë e tij: “Problemin për të luajtur me gjithë këta kampionë ia lë Leonardos, pasi në janar vjen edhe Bekhami, të cilit duhet t’i gjejmë një rol të ri, mbase si mbrojtës…”.
LEONARDO - “Gatuzo do të largohet? Është thjesht një zhurmë që nuk korrespondon me të vërtetën”. Kështu siguron trajneri i Milanit, Leonardo, menjëherë pas deklaratave hipotezuese që Rino qenka joshur nga ofertat që vijnë nga Anglia. “Fola me Galianin, flas shpesh edhe me Gatuzon: nuk është e vërtetë që ka kërkuar të ikë nga Milani në janar, - komenton trajneri kuqezi. - Ai duhet të riaftësohet nga dëmtimi. S’është asgjë e vërtetë pra”.