Kosova e Vushtrrisë ka vendosur t’i gjobisë futbollistët e vet, për shkak të rezultateve të dobëta që kanë treguar gjatë sezonit vjeshtor të Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll.Futbollistët e ekipit bardhekaltër nuk e kanë pritur aspak mirë këtë gjobë dhe nuk e konsiderojnë të drejtë vendimin e kryesisë së klubit.
“Kryesia ka vendosur që të na gjobisë me 30 për qind të rrogës së fundit. Arsye e kësaj gjobitjeje është mungesa e rezultateve. Mirëpo, kjo gjobë për futbollistët është e padrejtë sepse angazhimi maksimal nuk ka munguar në asnjë ndeshje”, deklaroi kapiteni i Kosovës, Mensur Maxhuni.
Ai tregoi se shumë shpejt do të takohet me zyrtarët e klubit për ta biseduar edhe një herë punën e gjobave.
Në anën tjetër, drejtori i klubit, Besim Halili, thotë se kjo gjobë që u është shqiptuar futbollistëve ka mundur të ishte edhe më e madhe.
“Lojtarët e kanë marrë një gjobë të vogël për shkak të mosrezultateve. Në bazë të rezultateve të treguara, ata e kanë merituar të gjobiteshin edhe më shumë, por klubi është treguar tolerant me ta. Në kontratë ceket që nëse ekipi arrin rezultate, shpërblehet, e nëse i mungojnë rezultatet, gjobitet. Secili futbollist e ka nënshkruar kontratën duke e ditur këtë rregull”, tha Halili.
Kosova e Vushtrrisë e ka përfunduar sezonin vjeshtor në pozitën e fundit në tabelë, me vetëm 10 pikë të tubuara nga 12 ndeshje të zhvilluara. Klubi vushtrrias të mërkurën do të përballet me Hysin, në kuadër të së tetës së finales të Kupës së Kosovës.