24 nëntor 2009

Kaka: Barça luan më bukur, por Reali është më i fortë

Kaka këmbëngul se Reali i Madridit është më i fortë se Barcelona, megjithëse pranon se katalanët praktikojnë një futboll më të bukur. Braziliani nuk harroi të theksonte se "momentalisht ‘blaugranat‘ kanë probleme". "Merengues" u ngjitën në krye të La Ligas, duke përfituar nga barazimi i Barçës në fushën e Atletik Bilbaos, ndërsa "klasikja" e së dielës në "Kamp Nou" shihet si sfida që do të përcaktojë kandidaten më të fortë për titullin në Spanjë. "Barcelona luan më mirë se ne, pasi ata janë një skuadër e konsoliduar prej disa vitesh dhe kjo është pika e tyre më e fortë. Ne jemi një skuadër e re dhe na nevojitet kohë që të mësohemi me lojën e njëri-tjetrit. Pra, Barça luan më bukur, por ne jemi më të fortë", tha Kaka. "Nuk mendoj se katalanët janë favoritët për të fituar "El Clasico"-n, ata kanë mjaft probleme. Sezoni është i gjatë, por është gjithmonë diçka pozitive që të renditesh i pari". Lojtari që u ble 67 milionë euro nga Milani sqaroi se ëndërronte të luante në "Bernabeu". "Mund të shkoja te çdo skuadër që doja, por erdha te Reali. Nuk ishte çështje parash, por ëndërroja të luaja këtu. Pas skandaleve, Seria A nuk është më aq e fortë sa në të kaluarën. Atje i kushtojnë shumë vëmendje taktikës, në Spanjë po argëtohem më shumë në fushë".