25 nëntor 2009

Bajern, Van Gali nuk e humb shpresën

Bajerni i Mynihut duhet të mundë Makabi Haifan që të ketë një shans për të kaluar në fazën tjetër të Ligës së Kampionëve, me kusht që Bordoja të mundë Juventusin. Nëse Juventusi fiton sot kundër Bordosë, e vetmja gjë që mbetet për Bajernin është një vend në Ligën Europa. Bordoja, që është kualifikuar falë fitores 2-0 kundër Bajernit raundin e shkuar, kryeson me 10 pikë, dy më shumë se italianët. Bajerni që pret izraelitët e vendit të fundit ka katër pikë dhe është në vend të tretë. Bajerni mund të kualifikohet edhe në ndeshjen e fundit, nëse mund Juven në Torino. “Nuk është gjithçka në dorën tonë, por mund t’ia dalim mbanë”, ka thënë trajneri Luis van Gal i Bajernit. “Lojtarët e dinë, edhe unë e di, por edhe Bordoja gjithashtu.
” Para ndeshjes në Mynih, van Gali ka marrë përkrahjen e nevojshme nga drejtuesit e klubit. “Ne i kemi dhënë atij mbështetjen tonë të plotë për javët që vijnë. I kemi thënë se do të mundohemi t’i zgjidhim gjërat së bashku”, ka deklaruar Uli Hënes, menaxheri i klubit bavarez. Presidenti Franc Bekenbauer ka thënë se van Gali ishte ende në kërkim të formulës së saktë dhe për mendimin e tij “ai ishte trajneri i duhur për Bajernin”. Bekenbauer dhe të tjerët kanë thënë se bordi i drejtorëve do ta analizojë situatën gjatë pauzës dimërore dhe do të marrë më pas një vendim. Për sa i përket ndeshjes kundër Makabit, trajneri holandez u ka thënë lojtarëve të jenë të përkushtuar dhe të mos e mendojnë ndeshjen të lehtë, si ajo e fituar 3-0 në Haifa. Mesfushori Arjen Roben është në dyshim pas dëmtimit në gju dhe Frenk Riberi është po ashtu në tribunë, sepse është i dëmtuar.