17 nëntor 2009

Italia: Edhe 6 vende bosh, Toti në garë

Trajnerit “axurr” i mungojnë gjashtë lojtarë për të kompletuar listën e Botërorit 2010

Për nga mënyra sesi flet Lipi, Kandreva mund të vulosë që tani pasaportën për në Botërorin e Afrikës së Jugut: “Në zgjedhjen e 23 lojtarëve duhet të mendoj për pozicionet, nëse kam shumë mesfushorë qendre dhe vetëm një krahu, që është Markizio, do të kem nevojë për një tjetër lojtar në këtë pozicion. Për të kompletuar listën për Botërorin më mungojnë edhe gjashtë ose shtatë elementë”. Gjithçka e qartë, por nuk është kaq e lehtë. Nga ky moment dhe deri më 1 qershor (FIFA nuk ka përcaktuar akoma datën zyrtare për listat), diçka do të ndryshojë, por 17 lojtarë duket se e kanë të sigurt që tani vendin në botërorin e ardhshëm.

PORTIERET - Që nga Berlini ka mbetur vetëm Bufon. Nuk ka dyshim që Marketi do të jetë zëvendësi i tij dhe De Sanktis portieri i tretë. Peruci tashmë bën pjesë në stafin e Lipit, ndërsa Amelia ka humbur terren.

MBROJTESIT - Të konfirmuar Zambrota, Kanavaro dhe Groso. Sigurisht këtyre do t’u shtohen edhe Kielini e Legrotalie, ky i fundit zëvendësuesi i parë për mbrojtësit e qendrës. Alternativa tjetër duhet të jetë Boketi, teksa ka pak shpresa për Gamberinin. Mbeten dy vende për zëvendësuesit e mbrojtësve të krahut, teksa në të majtë favorit është Krishito e në të djathtë nuk do të kishte patur rivalë Santon nëse nuk do të kishte patur rënie në lojën e tij. Ndërkohë janë futur në garë edhe Kasani e Maxhio.

MESFUSHORE - Të sigurt Pirlo, De Rosi, Kamoranezi. E njëjta gjë vlen edhe për Gatuzon, nëse problemet fizike nuk do të vazhdojnë ta shqetësojnë. Në lojë janë akoma dy vende, ato të Perrotës dhe Barones, ndërsa një është i Markizios dhe për tjetrin ka hyrë në lojë edhe Kandreva. I cili ka avantazhin se mund të luajë në të gjitha pozicionet: para mbrojtjes (si De Rosi), mesfushor i avancuar (si Pirlo), lojtar krahu (si Perrota). Nga fjalët e Lipit duket se Palombo dhe D’Agostino, mesfushorë qendre, kanë disa mundësi më pak. Të vëzhguar specialë janë Montolivo dhe Biondini.

SULMUES - Nuk janë në diskutim Xhilardino dhe Iakuinta, nuk do të jetë as Amauri, nëse Juventusi ka bllokuar grumbullimin e lojtarit me Brazilin, nëse kontaktet me Lipin kanë një kuptim, braziliani me pasaportë italiane do të bëjë pjesë në listën e Italisë, duke parë edhe formën jo të mirë të Tonit. Mbeten fanellat e Del Pieros, Inzagit dhe Totit. Për dy të parët janë në lojë të paktën pesë emra dhe ka shumë mundësi që në fund Lipi të zgjedhë një sulmues të parë (Pacinin) dhe një të dytë (midis Rosit dhe Di Natales), me Paladinon dhe Kualjarelën në gatishmëri. Për vendin e Totit do të kandidohet vetë romanisti, por çështja e tij do të vendoset në muajin prill, përndryshe do të grumullohet një midis Markionit, Pepes dhe Akuilanit. Por, nuk duhet harruar as Baloteli.