17 nëntor 2009

Bekhamit nuk i kalon asnjëherë moda

Model i ri flokësh për mesfushorin e ardhshëm kuqezi. Kakà: Kapelo duhet ta marrë në Botëror

Me atë pamje mund t’i bësh çfarë të duash. Mendimi është i përbashkët për të gjithë fansat e tij në botë dhe duhet të jetë për këtë që David Bekham zbavitet shpesh, duke ndryshuar modelin e tij të flokëve, duke bërë edhe prerje të çuditshme. “Jam i befasuar sesi kam akoma kaq shumë flokë pas gjithë atyre eksperimenteve, që kam bërë”, - qesh gjithnjë ai. Krijimi i fundit është një prerje disi “punk”, që Davidi e ka përdorur shpesh në të shkuarën. Të prera zero anash dhe ngjyra e verdhë. Dhe kush e di nëse mund t’ia ketë këshilluar Kruz, djali i vogël, duke menduar gjithnjë për të mirën e babait. Një mënyrë për t’u ndjerë akoma më afër, duke parë që muajt e ardhshëm, koha e ndarjes do të jetë e gjatë.

TITULLI - “Më mundon shumë ideja për të qëndruar kaq shumë kohë larg familjes”, - ka deklaruar kohët e fundit Beksi, por rithirrja e Milanit (dhe e Anglisë), është shumë e fortë për mesfushorin 34-vjeçar, që këtë herë mund të vijë në Itali si kampion dhe të lërë pas shpinës së tij më pak polemika se në vitin që shkoi. Të dielën në Siatëll do të luhet finalja e Kupës së Amerikës kundër Real Salt Lake, që mundi me 11-metërsha Çikago Fire. Pastaj një miniturne në Gjermani, disa ditë në Afrikën e Jugut dhe pas pushimeve dimërore, zbarkimi në Milano në fund të dhjetorit. Me një prerje flokësh disi më klasike.

IMITUES - Nga ana tjetër, Davidi zbavitet duke i shtangur të tjerët dhe e bën këtë prej vitesh. Në 2003-in, viti “i çmendurisë” për flokët e tij, ndryshoi një sërë modelesh, duke provokuar reagime dhe “detyruar” futbollistët në botë, të rinj dhe më pak të rinj, ta imitojnë. Dhe në Pekin, ku Real Madridi është i dashuruar nga të gjithë dhe i ndjekur si në shumë vende të tjera të botës, Federata Kineze e Futbollit, doli me një njoftim, duke i ndaluar lojtarët e vet të kombëtares U-17 të imitojnë look-un e yllit anglez. Por ishte e vështirë, sepse në një mënyrë apo në një tjetër, “Spice Boy” është një mjeshtër i stileve, teksa nuk ka shumë sportistë që mund të kenë epërsinë që t’i kenë dhënë emrin një xhakete të “Armanit”. Quhet pikërisht “Beckham jacket”, ajo prodhohet prej vitesh dhe tashmë është një veshje klasike e vogël. Jo si Montgomeri, sërish, por ka kohë. Dhe pastaj ai bënte gjeneralin dhe historinë.

ADHURUES - Gjithë kjo tërheqje e rrethon Bekhamin prej vitesh, pa e penguar pasionin e tij për futbollin dhe punën në fushë. “Është një njeri me vlera, përveç se i kushtohet biznesit”, thotë kapiteni i Milanit, Ambrozini. Huntelari, golashënuesi në krizë, e pret më krahëhapur: “Kur të vijë tek Milani, do të jetë pozitive për ne sulmuesit”. Dhe ish-milanisti Kakà, i dërgon këtë mesazh trajnerit të kombëtares angleze, Kapelo: “Bekham është një nga lojtarët më inteligjentë që kam njohur ndonjëherë. Jam i lumtur që kthehet tek Milani edhe pse nuk luaj më aty. Kapelo duhet ta grumbullojë në Botëror, sepse nuk ka asnjë lojtar me përvojën dhe cilësinë e tij”. Edhe me flokët e prerë anash dhe ngjyrë të verdhë, ndoshta.