Kërkohet një trajner për kombëtaren. Tashmë duket e sigurt që pas botërorit afrikanojugor Lipi do të tërhiqet nga kombëtarja italiane për t’u rikthyer tek Juventusi, ndoshta jo në stol, por si drejtues. Zyrtarisht për Federatën Italiane të Futbollit problemi nuk ekziston përderisa ka një kontratë me Lipin që skadon në vitin 2012, por çështja ka filluar të merret në konsideratë. Ndërkohë, kandidatët për të zëvendësuar Lipin janë Spaleti, Prandeli dhe i preferuari Ançeloti. Por do të jetë e vështirë që ky i fundit të shkëputet nga Çelsi për shkak të rrogës së lartë, që i paguan Abramoviçi. Më të mundshme rrugët që të çojnë tek Prandeli e Spaleti.Për të parin gjithçka do të varet nga sezoni i Fiorentinës. I dyti ka një gjysëm marrëveshje me Zenitin, por nuk duket se ka shumë dëshirë për t’u transferuar në Shën Petërburg. Ndërkaq kriteret që duhen plotësuar janë këto: të ketë eksperiencë dhe disa rezultate pozitive, të jetë i ri, por jo shumë dhe të kënaqet me një milionë euro në vit, që është çmimi tavan i fiksuar nga Federata Italiane. Një tjetër e dhënë që të çon tek ndryshimi në drejtimin e Italisë ka ardhur nga Anglia. Ka të bëjë me mundësinë për të vënë bast në lidhje me atë që mund të jetë zëvendësuesi i ardhshëm i Lipit. Spaleti ka koefiçentin 2, Prandeli 5, Mançini 8, Kapelo 10 si Ançeloti. Të paimagjinueshme alternativat e tjera me Mourinjon 15 e Trapatonin 25. Në lidhje me këtë çështje ka folur edhe Presidenti i Federatës Italiane, Abete, që ka thënë: “Do të shkojmë në Botëror me ide të qarta, duke evituar që të krijohet një atmosferë si ajo e 2008-ës”.