19 nëntor 2009

Ançeloti: Nuk do të drejtoj Italinë

Janë të shumtë emrat që përfliten në lidhje me pasardhësin e Marçelo Lipit në drejtim të Italisë pas botërorit, por midis këtyre ka edhe nga ata që nxitojnë të përgënjeshtrojnë zërat, duke dalë jashtë garës për stolin “axurr”. Eshtë rasti i Karlo Ançelotit, që është në vitin e tij të parë tek Çelsi: “Nuk do të jem trajneri i Italisë, vitin e ardhshëm. Unë jam trajner i Çelsit, të shohim sesi do të përfundojë kjo aventurë e bukur, - ka thënë tekniku i Bluve. - Sigurisht Botërori do të jetë një spektakël i jashtëzakonshëm.
Do të jetë një kompeticion i ekuilibruar, nuk shikoj një kombëtare që është sipër të tjerave. Në Afrikën e Jugut do të bëjë fresk, në teori është një avantazh për lojën. Por disa ndeshje do të zhvillohen mbi nivelin e detit, e di nga eksperienca, mendoj për Meksikë 86′, se sforcimi është i ndryshëm. Nuk do të habitesha nëse një nga ekipet afrikane do të mbërrinte midis katër të parëve”. Më pas edhe Ançeloti ka folur për çështjet më të diskutuara, nga Kasano tek Amauri: “Lipi ka të drejtë të bëjë zgjedhjet e tij. Pacini thotë se Amauri nuk duhet të luajë me Italinë? Dhe unë them se jam dakord me të”, ka përfunduar Ançeloti.